E Hënë, 2 Nëntor 2026

Jo të gjithë hyjnë si Gjini

15/02/2005  Agron Llakaj

Nën çadrën e Agron Llakajt të gjithë ndjehen të pasigurtë. Ngacmon më zi se publiku. Saqë aktorëve shpesh u ka qëlluar të mos e mbajnë dot të qeshurën.

Seriozitetin këtu e ndal Llakaj, kur thotë se “këtu nuk jemi në komedi, por në një kabaret, teatër popullor. Nëse të vjen për të qeshur duhet qeshur, dhe pse kjo të vjen nga ngacmimi i partnerit”. Ndjehet mirë me Amin, prezantuesen që e cilëson nurin e “Portokallisë”, madje, vë në dukje se sa është rritur ajo si prezantuese. Porse ndan qartë dy kohët kur Llakaj ka bërë humor. Nga tradita nuk i ka mbetur asnjë gjurmë, veçse “mbron” këtë spektakël, ku janë hedhur në pedanën e tregut aktorë që kanë mbaruar për dramë dhe që ditën të përballojnë dhe humorin popullor. Një pikë e fortë e këtij spektakli i ka takuar Llakajt, të godasë direkt në shenjë për aktorët që afrohen në “Portokalli”.

Edicioni i tretë i “Portokallisë”, tani mund të flasim më tepër për lodhje dhe gjenerim idesh, kur është ndryshuar gati 70 për qind e figurave...

Normalisht pati vështirësi, sepse ciklin e vet ky lloj spektakli e ka në tre muaj ekzekutivë dhe tre muaj krijimtarie. Por, natyrisht, meqë jemi në Shqipëri, gjërat shpesh zhbëhen dhe përshtaten jo thjesht për interesa ekonomike etj., etj. Por, po ta marrim sa i përket pikëpamjeve artistike, është një punë e tensionuar, e nxituar, me një ritëm të jashtëzakonshëm për ta arritur afatin kohor për të dalë në skenë. Për një muaj është shumë e vështirë që të transformohesh si figurë. Duhet kohë, por që djemtë e morën përsipër shndërrimin e figurës dhe mendoj se ngarkesa më e madhe ka qenë e tyre, por, njëkohësisht është shoqëruar dhe me një punë të madhe organizative, sa i takon prurjeve

Ndalemi te transformimet, jo vetëm sa i takon elementëve të rinj, por dhe figurave që pati më parë spektakli. Ju mbetët ai që ishit, prezantuesi dhe mbështetësi kryesor i humorit. Ka qenë e vështirë për ju adaptimi i këtyre roleve të reja?

Ëshë një nevojë e brendshme e çdo artisti për të ndryshuar, kuptohet për figurat që kanë pësuar fatin e largimit të personazheve, se aktorët po ata janë. Ndërrimi i personazheve u pa si nevojë e domosdoshme, duke menduar se kanë kaluar dy sezone të spektaklit. Ndryshe nga sezoni i kaluar, që u larguan ata që dihen, këtë sezon nuk është larguar asnjë aktor, vetëm ka pasur shndërrime të figurave. Ndërrimi i roleve të tyre, sigurisht që ka qenë një barrë dhe për mua si prezantues, por duke qenë se ishin të njëjtat individualitete, aktorë, ndoshta, kjo e bënte mbështetjen më të lehtë.

Të rinjtë, sipas jush, janë të pikasurit e vërtetë, a mendoni se ata po ia ndryshojnë impulsin ”Portokallisë”?

Në gjithë audicionin që kemi bërë deri tani, mendoj se duhet kuptuar në këtë mënyrë; shumë njerëz kanë dëshirë të bëjnë humor, shumë njerëz kanë dëshirë ta tregojnë humorin, por për këtë kërkohet dhe është një aftësi e veçantë. Ka njerëz që dijnë ta bëjnë humorin në tavolinë, por, edhe kur dalin në skenë.

Në kërkimin tonë për personazhe të rinj, mendojmë se kemi përzgjedhur tri veta, dy djem dhe një vajzë, të cilët po shkaktojnë një farë interesi te publiku. Në shfaqjen e parë kemi menduar të hyjë Bokja dhe në javën e dytë futëm “njeriun e tërbuar” dhe vajzën. Prova e vërtetë për ta është marrëdhënia me spektatorin. Por, realisht nuk pretendojmë se ata janë yje, që erdhën e po ndritin spektaklin, sepse ka një gjë, që jo të gjithë mund të jenë Gjini.

Meqë dolëm tek Gjini, shpesh ziheni në flagrancë, sepse ju kap e qeshura. Sa “problem” është kjo për një aktor?

Unë nuk zihem në befasi, për arsye se humorin me djaloshin e kam konsumuar, sepse Besin, në tri ditët para provës televizive, e mbaj në shtëpi. E konsideroj tamam si djalin e shtëpisë.

A bëni “përpjekje” për të mbajtur të qeshurën?

Këtu nuk jemi në një komedi. Kjo bëhet në një shou komik, ku “Portokallia” është një tip kabareti, teatri popullor. Nëse të vjen për të qeshur duhet qeshur, edhe pse kjo të vjen nga ngacmimi i partnerit. Ndaj e shikoj si mjaft normale të qeshurën, fundja është njerëzore, sepse nuk është si në komedi, ku aktori nuk mund të dalë jashtë personazhit

Po me Amin si ndihesh?

Ndjehem shumë mirë dhe ka një gjë, që Ami është drejt krijimit të një figure. “Portokallisë” i shkon një bukuri e tillë, jam i sigurtë për këtë. Nga ana tjetër shoh dhe natyrën e Amit që kërkon të punojë, kërkon të arrijë diku. Kam parë ndryshimin nga fillimi e deri tani. Kur ka ardhur Ami, nuk kisha mendimin se ajo ishte një kryevepër etj., ajo ishte një vajzë dhe shoqe shumë e mirë për grupin. Ajo është bërë pjesë e spektaklit, ka një lëvizje në aks, që nga fillimi deri tani është shumë herë më mirë.

Më përmende punën në grup, sa ia keni dalë që të jeni në një mendje të gjithë në një program si ky?

Ky lloj humori, suksesin e ka në grup, nuk ke si të evidentosh një apo dy persona. Këtu gjëja që është arritur më tepër nuk është harmonia false, por është një përbërje djem e vajzash që e kanë fituar statusin e shokut dhe mikut te njëri-tjetri. Për këtë flet puna, ku që të gjithë ndihmojnë njëri-tjetrin me materialet që kanë, duke ndarë idetë dhe eksperiencat. Kjo është respektive, një punë tavoline në grup, nën një atmosferë dhe frymë të tillë, sigurisht që e bën punën më të lehtë për çdo interpretues dhe krijues.

Jashtë “Portokallisë”, një televizion privat po tenton për herë parë të mbajë të ngritur një spektakël të një lloji të veçantë, që në ekranet e huaja është industri. Dihen arsyet financiare këtu, që e pengojnë një gjë të tillë, si e shikon si humorist këtë përpjekje?

Këtë e shikoj si një investim real dhe kontribut për programe të kësaj natyre, të stafit drejtues të Top Channel dhe, personalisht, të presidentit të tij, sepse në fund të fundit, është një nismë e drejtpërdrejtë e tij, personale. Nëse “Portokallia” është këtu ku është, kjo në një farë mënyrë ka të bëjë me dashurinë e pronarit për këtë lloj spektakli, se ndoshta dhe mund të mos investonte. Për mua është një kënaqësi që komunikoj dhe më jepet mundësia të realizoj bashkë me kolegët e mi një program të tillë. Ekranet, në përgjithësi, e kërkojnë humorin, por problemi është se çdo aktor duhet të jetë kërkues dhe krijues në atë që do të bëjë. Nuk është se ti ke dalë në rrugë e je taksi dhe pret klientin. Për këta djem të rinj, ky spektakël është një pedanë e re për të krijuar humorin e ri shqiptar, por nuk do të thotë se kjo është më e përsosura. Mendoj se kjo, tani për tani, është më e mira. Kjo ka krijuar një frymë ndryshe, sepse janë shumë djem e vajza që nuk kanë lindur si humoristë. Kanë mbaruar shkollën e Dramës për aktorë dhe, çuditërisht, zbuluan se dijnë të bëjnë shumë edhe humor. Për mua kjo është një lloj akademie, që nxjerr talente të rinj të humorit.

Ke qenë aktor humori në dy kohë - në humorin e traditës dhe kabaresë, që bëhet tani. Çfarë ndryshimi ndjen?

Problemi këtu është se me humorin e asaj kohe nuk mund të ketë paralelizëm. Jetonim në një situatë tjetër. Unë vetë nuk kam ndryshim të brendshëm, sepse si aktor nuk kam qenë ndonjëherë pa punë. Por në atë kohë, kur faktikisht jam shfaqur qysh më ’85-ën për herë të parë, e kam shprehur dhe herë tjetër, që ky është një humor “fast food”, një gjë e shpejtë, nuk ka kohë, nuk bëhen dot proceset të mendosh për tavolinën, prova në skenë, kjo shfaqje për katër ditë del në skenë. Në atë kohë një shfaqje e tillë dilte për tre muaj. Sa i takon konceptit të humorit, ka një lloj përshtatje për t’i qëndruar gjithmonë koherent zhvillimeve, karakteret me ngjarjet që ndodhin në Shqipëri. Por nga ana tjetër, këta aktorë kanë fuqinë, moshën dhe energjinë për t’u komportuar me këtë lloj stili humoristik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›