E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj: As me Delijorgjin e as me Ben Qimen

Nënkryetarin e KLD-së nuk e mbron nga procesi i verifikimit të mandatit as Delijorgji e as Ben Qimja. Nëse nuk e vazhdon Këshilli verifikimin e mandatit, atë do ta bëjnë organe të tjera kushtetuese. Kjo ka qenë deklarata e bërë dje nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, reagimi i të cilit ka qenë i menjëhershëm pas deklarimeve të bëra në një intervistë dhënë paraditen e djeshme për “Zërin e Amerikës” nga nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu. “Pas deklarimeve të fundit të nënkryetarit të KLD-së, shprehem se jam i indinjuar për mashtrimet që z. Spahiu vazhdon të shpërndajë ende nëpërmjet medias”, - deklaron ministri Alibeaj, duke shtuar se “deklarata e tij e fundit tregon qartë se z. Spahiu e ka kapur paniku nga kërkesa e ministrit të Drejtësisë për verifikim të mandatit”. “Në materialin e tij drejtuar ministrit të Drejtësisë për çështjen e tre gjyqtarëve,z. Spahiu nuk ka kërkuar as procedim disiplinor, as shkarkimin dhe as ndjekje penale për ta siç është shprehur dhe vazhdon të shprehet rëndom në shtyp”, - vijon reagimi i kreut të institucionit të drejtësisë, duke shtuar se “deklarata e tij e sotme nuk tregon veçse frikën që e ka përfshirë atë nga procesi i verifikimit të mandatit”. Por, - shton ministri në deklaratën e tij për shtyp, - nga ky proces nuk do të mbrohet as duke u fshehur pas “Delijorgjit”, por as edhe pas “Ben Qimes”. “Është në nderin edhe seriozitetin e tij dhe të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të pranojë procesin e verifikimit, sepse ky proces do të vazhdojë në KLD. Nëse do të vazhdojë të fshihet pas “votimeve” antiligjore, ky proces verifikimi do të bëhet nga organe të tjera ligjore dhe kushtetuese”, - përfundon reagimi i ministrit. Alibeaj.

Intervista

Reagimi i ministrit Alibeaj erdhi pas një interviste të dhënë paraditen e djeshme për “Zërin e Amerikës” nga nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu. Në këtë intervistë, Spahiu e cilëson si një Gërdec të dytë për Drejtësinë sulmin ndaj tij prej Mihal Delijorgjit, drejtuesit të kompanisë që kryente çmontime në Gërdec i cili pak ditë më parë iu drejtua me një letër autoriteteve shtetërore. Qëndrimi ndaj kësaj situate, sipas Spahiut, do të jetë një test për shtetin për të dëshmuar se në anën e kujt është. Madje, në këtë intervistë, zoti Spahiu e konsideron artificial konfliktin e lindur me ministrin e Drejtësisë Alibeaj dhe antikushtetuese kërkesën për verifikimin e veprimtarisë së tij si nënkryetar. “Do të thosha që gjithçka është artificiale, - shpjegon zoti Spahiu - Prej shume kohësh, ndoshta për herë të parë në KLD ka pasur një harmoni të plotë dhe një vendimmarrje konsensuale përfshirë dhe një dialog shumë konstruktiv brenda KLD-së. Me bindje ju them se çdo kërkesë apo pretendim i ardhur nga ministri i Drejtësisë deri më sot është pranuar në 100 për qind të rasteve sikundër ka pasur një bashkëpunim shumë serioz”, - është shprehur nënkryetari i KLD-së. Më tej, Spahiu ka sqaruar edhe pozicionin e tij lidhur me përplasjen që ka pasur kohët e fundit me kreun e institucionit të drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, si dhe akuzën për protagonizëm politik. Sipas Spahiut, “protagonizëm politik nga ana ime nuk mund të ketë sepse unë nuk përfaqësoj asnjë parti. Ky protagonizëm mund të jetë nga ana e ministrit. Së dyti, nuk ka pasur asnjë tendencë të këtij protagonizmi se kjo është dalja ime e parë për këtë çështje dhe nuk kam shprehur në asnjë rast, asnjë rezervë apo kritikë në adresë të ministrit të Drejtësisë, i cili është anëtar ex officio. Të gjitha deklaratat, kundërdeklaratat e qëndrimet antagoniste në 7 apo 8 raste kanë ardhur nga ana e ministrit”. Ndërsa lidhur me kërkesën e ministrit për verifikimin e mandatit të tij, Spahiu u shpreh se “për herë të parë pas 15 vjetësh, në historinë e tij dhe të jurisprudencës shqiptare bëhet një kërkesë kaq antikushtetuese dhe antiligjore. Dhe besoj se përgjigja më e mirë është vendimi i KLD-së, i cili e rrëzoi si të pabazuar në ligj këtë kërkesë dhe më pas edhe vendimi i vet ministrit me nënshkrimin që i bëri raportit të kontrollit të inspektoratit të KLD-së që ishte bërë objekt i debatit e diskutimit”.

Sipas Spahiut, “raporti i kontrollit për gjyqtarët që liruan të dyshuarin për autorin kryesor të shpërthimit të Gërdecit ka shkaktuar një debat kaq të madh. Më pas kjo u shoqërua me një Gërdec të dytë për drejtësinë shqiptare, që është letra dhe kërcënimi që ka marrë Kreshnik Spahiu nga qelitë e burgut nga Mihal Delijorgji dhe në këtë kontekst do të thosha se pa paragjykuar hartuesit apo bashkautorët e kësaj letre, qëndrimi ndaj Kreshnik Spahiut do të jetë një test nëse shteti do të mbajë anën e drejtësisë apo anën e Mihal Delijorgjëve”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›