E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Matrix 4”, Edhe dy të tjerë nën hetim për vjedhjen e llogarive bankare

Prokuroria e Tiranës ka marrë së fundi nën hetim edhe dy persona të tjerë, lidhur me çështjen e vjedhjes së llogarive bankare përmes transaksioneve financiare. Një gjë e tillë është konfirmuar një ditë më parë nga burime nga organi i akuzës, sipas të cilave, grupi hetimor ka nisur punën për sqarimin e pozicionit të këtyre individëve në vjedhjen e llogarive bankare. Sipas të dhënave, këta dy persona, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për shkak të sekretit hetimor, sipas informacioneve të siguruara nga hetuesit, mendohet se janë bashkëpunëtorë me të 17 personat e arrestuar pak ditë më parë në Tiranë, gjatë operacionit policor të koduar "Matrix 4". Të pandehurit e këtij operacioni akuzohen për vjedhjen e rreth 2 milionë eurove nga llogari të ndryshme bankare, nëpërmjet klonimit të kartave të kreditit “Visa” dhe “Mastercard”, me informacionet e personalizuara të personave të tretë. Sipas të dhënave hetimore, numërohen 400 raste, nga të cilat 272 në Tiranë dhe 128 në qytetet Durrës, Fier, Vlorë, Kavajë etj., ku vidheshin llogaritë bankare të shtetasve të huaj, rezidentë në shtete perëndimore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›