E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjet e viktimave të marrin disa akte hetimore


GËRDECI



Prokuroria pajis përfaqësuesit e familjeve të viktimave me dokumentet e kërkuara për padinë e dëmshpërblimit


TIRANË- Familjarët e 11 prej 26 viktimave të tragjedisë së Gërdecit njihen me disa nga aktet hetimore të Prokurorisë së Përgjithshme, që pritet t'i përdorin për padinë civile ndaj qeverisë për dëmshpërblimin e tyre.

Burimet zyrtare pranë akuzës dhe përfaqësuesve ligjorë të 11 familjeve të viktimave, kanë pohuar marrjen e akteve gjatë ditës së djeshme. Por janë vetëm disa akte të nevojshme për ngritjen e padisë civile që janë vënë në dispozicion të kërkuesve.

Sipas këtyre burimeve, mësohet se përfaqësuesve ligjorë të 11 viktimave të këtyre familjeve iu janë vënë në dispozicion, vetëm disa shkresa zyrtare që janë pjesë e dosjes voluminoze të hetimit.

Ndër to janë një raport vlerësim i Entit të Banesave, ku pasqyrohet dëmi i shkaktuar nga shpërthimi, lista me personat e vdekur nga shpërthimi, disa nga urdhrat e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, të cilësuar të kundraligjshme dhe dy kontratat e ndërmarrjes shtetërore MEICO me kompanitë SAC-Albademil për demontimin e municioneve.

Sipas prokurorisë, këto shkresa që i janë vënë në dispozicion avokatëve të familjeve të viktimave, nuk janë shumë të rëndësishme për hetimin, pasi për këto tashmë është i njohur i gjithë opinionin publik.

Ndërkaq, vetëm pak ditë më parë, përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme, rezistuan duke mos ia vënë në dispozicion të familjeve të viktimave materiale nga hetimi për të përgatitur kërkesë padinë civile që do të bëhet në Gjykatë ndaj qeverisë shqiptare.

Por, falë këmbënguljes së përfaqësuesve ligjorë të 11 familjeve të viktimave të siguruar nga lëvizja "Mjaft", prokuroria ka pranuar pas kërkesës së Gjykatës për njohjen me aktet hetimore familjarëve të viktimave të kësaj tragjedie.

Siç dihet, si pasojë e shpërthimit të 700 tonëve barut humbën jetën 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosen. Pritet, gjithashtu nga prokuroria, që brenda kësaj jave të dorëzohet pranë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, kërkesa për gjykim ndaj të pandehurve të kësaj dosjeje, që deri më tani sipas prokurorisë kap numrin e 27 të pandehurve për këtë tragjedi.

Krehër me fishekë në avion, arrestohet në Rinas


Një 45-vjeçar nga Lezha është arrestuar në aeroportin e Rinasit pasi u kap me një krehër me fishekë.


Bardhok Prenga, 45-vjeç, u arrestua ditën e djeshme pasi gjatë një kontrolli në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas iu gjet një krehër automatiku me tre fishekë.

Burime nga policia thanë se 45-vjeçari po tentonte të udhëtonte drejt Italisë nëpërmjet linjës ajrore, por kontrolli standard në aeroport jo vetëm që e ka kthyer atë nga udhëtimi por e ka çuar në qeli.

Kjo pasi gjatë kontrollit iu gjet një krehër automatiku gjë për të cilën u lajmërua policia. Kjo e fundit kreu shoqërimin e Prengës në komisariatin e policisë së Rinasit, ndërsa efektivat blu paralelisht ushtruan një kontroll në banesën e tij.

Sipas policisë, gjatë kontrollit të imtësishëm në banesën e Prengës u gjet një armë automatik e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Ndaj 45-vjeçarit Bardhok Prenga u mor masa e arrestit pasi akuzohet për veprën penale të "armëmbajtjes pa leje".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›