E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përdhunon 14-vjeçaren, vihet në pranga

Një 23-vjeçar, baba i dy fëmijëve, u arrestua pas denoncimit të bërë nga një e mitur se e kishte dhunuar

DURRËS - Përdhunoi një të mitur rreth dy javë më parë dhe si rrjedhojë është vënë në pranga nga uniformat blu të Durrësit. Adem Meçe, baba i dy fëmijëve, ishte shpallur në kërkim nga policia, pas denoncimit të kryer nga një 14-vjeçare, fqinjë me të. Ngjarja e cila mësohet të ketë ndodhur më 16 shkurt pasdite, është denoncuar vetëm disa ditë më pas për shkak të kërcënimeve.


Por menjëherë pasi ka marrë vesh se ishte në kërkim, 23-vjeçari Meçe është fshehur derisa është vënë në pranga dje nga blutë e Durrësit. Akuza e ngritur ndaj tij është "kryerje e marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura". Sipas burimeve të policisë, Adem Meçe dhe e mitura 14-vjeçare ishin fqinjë, fakt që ka krijuar edhe një marrëdhënie miqësore mes të dyve.


Vajza mësohet se rrinte shpesh me bashkëshorten e 23-vjeçarit. Duke përfituar një ditë në të cilën e mitura ka qenë vetëm, Meçe i ka shprehur vajzës "dashurinë" duke i premtuar se do të ndahej nga e shoqja dhe do të martohej me të. Por në këmbim ai ka dashur të kryejë marrëdhënie seksuale.

Mohimi i vajzës ka bërë që 23-vjeçari të reagojë duke e kapur me forcë dhe duke e lidhur me një litar, çka e ka bërë të pamundur reagimin e së miturës dhe më pas, duke e përdhunuar.


Ngjarja nuk është denoncuar fillimisht, por kërcënimet e mëpastajme kanë bërë që ajo t'i drejtohet policisë. Menjëherë pasi ka mësuar denoncimin e kryer, Adem Meçe është larguar nga shtëpia, ndërsa policia ka mbajtur nën vëzhgim bashkëshorten e tij, duke mundur ta vërë në pranga dy javë pas ngjarjes.

Var veten 24-vjeçari, humbi paratë në kumar

VLORË - Vendos t'i japë fund jetës një 24-vjeçar, baba i një fëmije, pasi ka lënë një sasi të konsiderueshme parash në kumar. Miklovan Pazaj ka varur veten në vendin e punës dje paradite. Burimet zyrtare të policisë shprehen se i riu ka përdorur për vetëvrasjen një tel elektrik dhe e ka kryer aktin në banjën e mobilerisë. Pas kryerjes së autopsisë është dalë në përfundimin se shkak i vdekjes ka qenë asfiksia. Të pyetur, të afërmit e viktimës kanë konfirmuar se një ditë më parë, 24-vjeçari kishte humbur shumë para në kumar, çka e kishte çuar në depresion. A.Peçi

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›