E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafikantët u zbuluan nga kapja e klandestinëve

KORÇË- Katër persona, pjesë e një grupi të trafikimit të klandestinëve, janë arrestuar nga policia kufitare e Korçës ndërsa një i pestë është, shpallur në kërkim. Një grup prej 10 personash po shoqëroheshin nga të arrestuarit dhe pagesa për secilin ishte nga 800-1000 euro.

Ilirjan Bardhushi, 41 vjeç, nga fshati Ravonik në Korçë, Gjergji Gavri 40 vjeç, nga Kapshtica e Devollit, Melsi Bylyku, 26 vjeç nga Tresteniku i Devollit dhe Mustafa Eshi, 45 vjeç, nga Bilishti, janë arrestuar në flagrancë, duke kaluar në Greqi 10 persona. Një tjetër anëtar i këtij rrjeti, Mariglen Qylalli, 24 vjeç, nga Vashtëmi i Korçës, është shpallur në kërkim, pasi ka arritur t'iu largohet forcave të policisë.

Kapja e këtij grupi, ka zbuluar edhe trafikantët e femrave të kapur nga policia në Durrës. Të ndaluarit janë kapur gjatë transportit të klandestinëve që synonin vendin fqinj, ndërkohë policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe 3 automjete. Sipas policisë, mësohet se personat e kapur ishin nga Korça, Kavaja dhe Elbasani po udhëhiqeshin nga të arrestuarit, duke lëvizur nga një makinë tek tjetra për t'i shpëtuar policisë.

Operacioni "Stafeta" ka nisur gjatë të dielës në orët e pasdites atëherë kur dhe vepronin trafikantët që ndihmonin klandestinët të hynin në kufirin grek nëpërmjet rrethit të Devollit, për të përfunduar gjatë paradites të së hënës.


Rruga që ata do të ndiqnin ishte nëpërmjet fshatit Kapshticë, ndërsa njëri prej të arrestuarve do të ishte dhe udhërrëfyesi i tyre. Sipas policisë së juglindjes, e cila e ka kryer operacionin në fjalë në bashkëpunim dhe me specialistët e sektorit të Krimit të Organizuar të ardhur enkas nga kryeqyteti, të arrestuarit në fjalë kanë qenë në vëzhgim të rrjetit që nxirrte shtetasit shqiptarë kundrejt pagesës në mënyrë ilegale nga kufiri..

Në cilësinë e provës materiale gjithashtu janë sekuestruar dhe mjeti tip fugon me targë DV 0454 A, mjeti tip benz me targë KO 2540 B, si dhe mjeti tjetër DV 2930 B. Ndërkaq klandestinët kanë treguar se si do të kalonin drejt Greqisë, ndërsa pagesën do të kryenin kur të mbërrinin në destinacionin e tyre. Xhon Baka

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›