E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkonin balerina, i dërgonin prostituta

Tre persona janë arrestuar nga Policia e Shtetit, të dyshuar si pjesëtarë të një rrjeti të trafikut të femrave për prostitucion


Të arrestuarit, kishin nisur në Greqi, dy femra, po nisnin një tjetër ndërsa po rekrutonin edhe tri të tjera. Zbulohen nga klandestinët në Korçë

Në Durrës, hiqeshin si agjentë të një shoqërie greke që merrej me rekrutimin e balerinave për të kërcyer në klubet e natës në vendin fqinj, për drejtësinë ishin thjeshtë trafikantë që rekrutonin femra të kërcenin dhe të prostituonin në klubet e natës në Greqi.

Kjo fabul, ka shtyrë policinë të kodojë me emri "Balerina", operacionin e tyre ndaj tre personave, pjesëtarë të një grupi të trafikut dhe shfrytëzimit të femrave për qëllime prostitucioni, ndërsa prokuroria e Krimeve të Rënda ka ndjekur në bashkëpunim me policinë operacionin e mësipërm.

Mehdi Xhihani, 45 vjeç, nga Korça, banues në Durrës, Xhemal Zenuni, 21-vjeç, nga Elbasani, banues në Shijak dhe Altin Brahimi, 25-vjeç, nga Durrësi, janë tre të ndaluarit ndërsa akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin po përgatisnin të trafikonin 21-vjeçaren M.Ll drejt Greqisë, për prostitucion.

Më parë ata kishin rekrutuar edhe dy vajza të tjera, ndërsa kalonin kufirin nga Shqipëria në drejtim të Greqisë dhe që sipas policisë, ishin rekrutuar po nga ky grup. Fillimisht është arrestuar sipas policisë Mehdi Xhihani, ndërsa më pas iu janë vënë prangat edhe dy bashkëpunëtorëve të tjerë të tij. Operacioni i djeshëm është

Rekrutimi

"Do të bëhesh balerinë e paguar, do të jesh një yll i vërtetë në Greqi. Do të vallëzosh në klube nate dhe do të fitosh shumë para". Ky ishte një nga modulet e përdorura nga grupi të arrestuarve të Policisë, që ato jo me shumë mundim të pranonin të bëheshin pjesë e grupit të vajzave që si art të baletit të tyre do të kishin prostitucionin.

Mehdi Xhihani, 45-vjeçari nga Durrësi cilësohet nga policia si më i "rrezikshmi" për t'i vënë syrin vajzave që do t'i çonte për "balerina" në Greqi. Burime nga policia thanë se 45-vjeçari, bashkë me dy të rinjtë Xhemal Zenuni dhe Altin Brahimi, po kërkonin të gjenin vajza që më pas dyshohet se do t'i trafikonin në shtetin helen.

Për t'i nisur matanë, më parë duhej krijuar një histori sa më e besueshme që vajzat të mendonin vërtet se po shkelnin në gjurmët e famës. "Nëpërmjet lidhjeve me femra të tjera, tre personat arrinin të gjenin vajza të cilat ndodheshin në gjendje të rëndë ekonomike ndërsa pranonin që të punonin qofte edhe larg Shqipërisë.

Për çdo vajzë strategjia ishte e ndryshme",- tregoi për "Shekullin" një burim policie. Viktima e fundit mund të kishte qenë një 21-vjeçare, me inicialet M. LL, që pritej të nisej së shpejti për në Greqi.

Madje ajo, sipas burimeve, kishte edhe dy fëmijë, ndërsa grupi i kishte premtuar se do të bëhej kërcimtarja kryesore e një klubi të madh nate. Fillimisht ajo do të fillonte një kurs për balerinë në Greqi, e më pas do të kërcente nëpër klube nate.

Fitimet jo vetëm që ishin të garantuara, por ishin të pallogaritshme dhe do të ndaheshin përgjysmë mes saj dhe grupit. Me këtë marrëveshje nëna e re me dy fëmijë, ka menduar fundin e halleve të saj.


Por "kontrata" u prish pas ndërhyrjes së policisë. Sipas policisë, në proces mësohet se kanë qenë edhe tri vajza të cilat tashmë janë në duart e policisë.
Transportimi


Dy ditë më parë policia e Korçës shkatërroi një rrjet trafikantësh të qenieve njerëzore në Korçë. Pas kapjes së tyre policia zbuloi se ata ishin pritësit e vajzave që do të kalonin drejt Greqisë të cilat ishin rekrutuar prej 45-vjeçarit Mehdi Xhihani dhe dy bashkëpunëtorëve të tij Xhemal Zenuni dhe Altin Brahimi.

"Xhihani dhe dy të rinjtë rekrutonin vajza dhe i nisnin ato në Korçë ku trafikantët do të bënin të mundur kalimin e tyre drejt Greqisë. Më pas në shtetin helen ndodheshin të tjerë persona të cilët do të prisnin femrat ku dhe dyshohet se do t'i shfrytëzonin për prostitucion",- thanë për "Shekullin" burime nga policia.

Policia fillimisht bëri të mundur ndalimin e 45-vjeçarit Xhihani i cili po tentonte të kalonte 21-vjeçaren drejt Greqisë, më pas çoi në qeli edhe dy bashkëpunëtorët e tij Altin Brahimi dhe Xhemal Zenuni. "Kanë qenë në proces rekrutimi edhe tre vajza të tjera të cilat do të trafikoheshin për qëllime prostitucioni.

Dyshohet se ato mashtroheshin nga tre personat në mënyra të ndryshme ku njëra nga ato ka qenë edhe në lidhje intime që dy të rinjtë krijonin me vajzat për pak kohë dhe më pas nisnin bisedimet për udhëtimin drejt Greqisë",- shtuan burimet të cilët kanë pohuar se dosja tashmë është e Krimeve të Rënda.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›