E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia, në Gril ngrihen tre varre në vend të shtëpisë

MALËSI E MADHE/ Familja e Gëzim Gonajt hap dyert për mort në fshatin Gril të komunës Gruemirë, flet gjyshja


SHKODËR - Të shtunën kishte mbërritur në fshatin e tij ku po ndërtonte shtëpinë për familjen e vet me të cilën prej vitesh jetonte në Itali.

Por më pas i është dashur të kthehet në shtetin fqinj ku ka parë se gruaja dhe fëmijët e tij nuk jetonin më. Gëzim Gonaj ka mbërritur në Itali, ndërsa në familjen e tij në fshatin Gril të Vrakës në komunën Gruemirë në rrethin e Malësisë së Madhe, janë çelur dyert e mortit.

Shtëpia e vëllait të Gëzim Gonajt, aty ku jetojnë dhe dy prindërit e tij, Leka e Zoja, është mbushur me të afërm, miq e të njohur. Shprehin ngushëllime për tragjedinë e ndodhur në Firence të Italisë, ku nga shpërthimi i gazit brenda në ndërtesën ku jetonin, vdiq bashkëshortja dhe dy fëmijët e Gëzimit.

Lekë Gonaj ende nuk i di përmasat e tragjedisë që ka ndodhur, pasi atij i kanë treguar vetëm për mbesën, jo për nusen dhe nipin. Ndërsa gjyshe Zoja e ka marrë vesh gjithçka mëngjesin e së hënës.

Ajo rrëfen se si djali i saj Gëzimi kishte ardhur dy ditë para ngjarjes në Shqipëri. "Prej 8 vitesh ai jeton e punon në Itali dhe ka dokumente të rregullta. Ka shkuar si emigrant, madje dhe gruan Angjelinën dhe dy fëmijët Dorinën e Dorianin i ka marrë si klandestinë me gomone.


Më pas kanë bërë letrat. Ka punuar murator dhe meqë në këtë periudhë nuk kishte punë, erdhi në Gril. Kjo pasi ai kishte nisur të ndërtonte një shtëpi të re për vete dhe familjen e tij, pasi shpresonte që një ditë të ktheheshin për të jetuar këtu. Kishte punuar shumë dhe kishte mbledhur ca lekë, me shumë vështirësi. Për fatkeqësinë e lajmëroi daja i nuses.

I tha se duhej të nisej për Itali pasi Angjelina ndodhej në spital, sepse ishte djegur duke gatuar. Gëzimi është nisur bashkë me vëllezërit e tij atje. Mua më treguan në mëngjes, ndërsa tim shoqi i kanë treguar se është djegur pak Dorina dhe se ndodhet në spital.

Në fillim nuk donin të më tregonin as mua, por kur pashë gjithë ata njerëz që po vinin, pyeta i thashë djalit tjetër të më tregonte se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë, - tregon Zoja Gonaj.



Mësohet se një natë para ngjarjes, Gëzimi ka folur me telefon me familjen e tij dy herë, me gruan dhe fëmijët, madje gjyshe Zoja ka folur dhe ajo me djalin, Dorianin, i cili i kishte thënë se kishte lënë flokët e gjata.

Me lot në sy Zojë Gonaj tregon se ky ka qenë komunikimi i fundit me nusen e djalit dhe nipin e mbesën, ndërsa shton se tani i kanë mbetur veç letrat e fotografitë. Të afërmit tregojnë se Doriani luante futboll dhe e kishte ëndërr të bëhej futbollist.

Kur vinte në Shqipëri shoqërohej me shumë shokë pasi ishte mjaft i dashur. Madje, ditën kur ndodhi tragjedia, jo larg shtëpisë po e priste autobusi me shokët, që i dërgonte në stërvitje. Zojë Gonaj shton se djali, Gëzimi, i pati premtuar se këtë verë do t'i sillte fëmijët në Shqipëri dhe do t'i linte këtu deri më 1 shtator. "Por mua nuk më mbetet gjë tjetër veç t'i shoh nëpër letra.


Angjelinën nuk e kam pasur vetëm nuse të djalit, por dhe motër. Gëzimi është djali i dytë, shtëpinë e kam plot me nipër e mbesa, por secili ka vendin e tij dhe për mua kjo që ka ndodhur është tepër e rëndë",- vijon Zoja. Ajo shton se nuk di kë të fajësojë për këtë ngjarje. "Por kështu qe vendosur nga Zoti dhe me Të nuk mund të armiqësohemi", - shprehet ajo.

Të afërm të tjerë kërkojnë që shteti shqiptar të ndërhyjë dhe të bëjë të mundur sjelljen e tre kufomave në atdhe. Prel Gonaj, i afërm i familjes, thotë: "Ne do të bëjmë të pamundurën që të kemi sa më shpejt këtu trupat e tre njerëzve tanë. Por i bëj thirrje shtetit shqiptar të na ndihmojë.

Gëzimi shkoi familjarisht në Itali me shpresën për një jetë më të mirë, por ja që edhe atje ka rreziqe. Kjo familje kishte dokumente të rregullta dhe paguante çdo detyrim ndaj shtetit italian, i cili është një shtet shumë më i pasur se ky i yni dhe duhet të reagojë për këtë tragjedi.


Por është e nevojshme që dhe shteti shqiptar të bëjë punën e vet dhe ne kërkojmë ndihmë për sjelljen e trupave.

"Gëzimi kishte nisur të ndërtonte shtëpi afër asaj të prindërve, kishte bërë themelet dhe do të ndërtonte muret. Punonte sa herë nuk kishte punë në Itali, me paratë e grumbulluara pak e nga pak. Por tani do t'i duhet të ngrejë tre varre për familjen e tij",- shprehen fqinjët.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›