E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj: Do i shkojmë në fund reformës

Nga Armand Maho

Edhe pse dy ditë më parë, gjykatës, prokurorë, avokatë dhe noterë dolën me një rezolutë kundër qeverisë dhe projektligjeve që po harton ajo për reformën në drejtësi, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, tha dje se qeveria do i shkojë reformës gjer në fund. Alibeaj shkoi dhe më tej, kur i quajti dizinformacione mediatike këto kundërshtime, edhe pse ato janë bërë përmes një rezolute.

Alibeaj i quajti sërish mashtrime të medias deklaratat e ndërkombëtarëve kundër këtyre projekteve, edhe pse para dhjetë ditësh raporti vjetor i OSBE e konstatonte me shqetësim këtë situatë, dhe një ditë më pas vetë ambasadori amerikan do të shprehej hapur kundër këtyre nismave.

Alibeaj tha se përgjatë gjithë vitit po bëhen konsulta për draftet që do të kalohen, kur para një muaji ishte vetë KLD që deklaroi se për projektligjin për gjyqësorin nuk është pyetur aspak.

Ndërsa ambasadori i KE në Tiranë, Helmut Lohan, tha se është e rëndësishme pavarësia e organeve të drejtësisë. “Ne i kushtojmë rëndësi dy parimeve kryesore: njëra është përgjegjësia para ligjit dhe tjetra pavarësia e organeve të drejtësisë. Shqetësohemi, kur prishet balanca para ligjit dhe drejtësisë”, - u shpreh Lohan.

Së fundi, tërë trupa gjyqësore, komuniteti i gjyqtarëve, i prokurorëve dhe i grupeve të tjera të interesit kanë kundërshtuar ndryshimet e fundit në sistemin e drejtësisë? Këtyre zërave ju janë shtuar edhe ato të ndërkombëtarëve?

Më lejoni t’ju korrigjoj në konstatimet tuaja premisën mbi të cilët ju ngritët pyetjen. Ju thatë që gjithë trupa gjyqësore është ngritur kundër ligjeve të qeverisë. Aq më pak është e vërtetë që edhe prezenca ndërkombëtare të ketë qenë pjesë e këtij dizinformacioni mediatik dhe për të përçuar informacionin në mënyrë të drejtpërdrejtë mediatikisht më lejoni që për kronologji t’ju sqaroj se e tërë trupa gjyqësore ka qenë pjesë e ligjit të organizimit dhe funksionimit të pushtetit gjyqësor. Besoj ju kujtohen, konsultimet me konferencën gjyqësore janë bërë, konsultime me Këshillin e Lartë të Drejtësisë janë bërë në atë kohë, konsultime me mjedisin akademik janë bërë në atë kohë.

Le të flasim për ligjin për prokurorinë, ku të tërë jemi të interesuar. Tërë trupa e prokurorëve është konsultuar, konsultime të cilat janë vazhduar në tri stinë, në verë, pranverë, vjeshtë.

Përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme kanë qenë pjesë e draftimit të projektligjit. Problematika e ngritur nga Shoqata e Prokurorëve është bërë pjesë e diskutimit në grupin e punës. Së treti, e tërë trupa gjyqësore është konsultuar për ligjin për administratën gjyqësore, është ftuar konferenca gjyqësore, asambleja e gjithë gjyqtarëve të japë opinionin tyre mbi këtë ligj.

Janë ftuar të gjithë kryetarët e gjykatave për të dhënë opinionet e tyre mbi këtë ligj dhe i kanë dhënë, dhe janë reflektuar në ligj. I tërë komuniteti i avokatëve është konsultuar për ligjin, për ndryshimet, përfaqësuesit më të lartë të komunitetit të nderuar të avokatëve kanë qenë pjesë e grupit të punës për hartimin e ndryshimit të ligjeve për Avokatinë.

I tërë komunitetit i noterëve është konsultuar, i është marrë mendimi për ligjin për noterinë. Madje, është shkuar deri atje, sa janë marrë vendime edhe në Unionin Ndërkombëtarë të Noterëve .

Kjo ministri ka ndjekur pikë për pikë një strategji të hapur, transparente duke qëndruar me sytë dhe veshët hapur për të ndjerë dhe ndjekur çdo lloj sensibiliteti që vjen në këtë reformë. Por, në qoftë se seriozisht pretendon të bëjmë reformë, do të thotë që seriozisht sistemi ka probleme dhe, në qoftë se seriozisht do të duhet të mendojnë që kjo reformë të ketë sukses, padyshim që disa sakrificat serioze dikush do të duhet t’i mbajë në shpatulla. Mosfunksionimi i një sistemi nuk është faji i vetëm i moscilësisë së legjislacionit, është edhe faji i mënyrës se si zbatohet ligji nga operatorët e sistemit. Debatet gjithmonë një reformë i ka, e rëndësishme është që çdo lloj problematike të ndiqet nga një arsye në paraqitjen e saj.

Kam qenë dhe mbetem i hapur për çdo lloj propozimi konkret dhe nuk më rezulton deri tani asgjë e ngjashme, kjo edhe për faktin se kjo ministri, ministri në detyrë dhe ata paraardhës kanë qenë aq korrektë, sa të gjithë artikulimet e tyre për reformën i kanë pasur të bashkërenduara me asistencën ndërkombëtare e meqë ra rasti, do të doja t’i falënderoja.

Z. ministër, a do hiqni dorë ju nga projektligjet e kontestuara nga Shoqata e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve për sa i përket imunitetit?

Në lidhje me pretendimin e gjyqtarëve, çështja e imunitetit rregullohet nga të dy anët, nga Kushtetuta dhe nga ligji “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor”, i miratuar tashmë, që do të thotë që kjo ministri as teorikisht nuk ka mundësi në dorë, është Kuvendi i përfshirë në një iniciativë më të gjerë se kaq. Unë mund të jem më i fundit nga mazhoranca që artikuloj një mendim të tillë. Kjo mazhorancë ka qenë që në fillimet e veta për rrëzimin e çdo lloj koncepti imunitar.

Në lidhje me pretendimin e Shoqatës së Prokurorëve, por për të njëjtin koncept, nuk ka nevojë të jesh politikan, mjafton të jesh jurist, të kesh lexuar Kushtetutën. Kushtetua nuk rezervon asnjë koncept imuniteti për prokurorët. Kështu, jo vetëm politikisht, por edhe juridikisht ky koncept për më tepër për prokurorët nuk duhet të ekzistojë.

Në qoftë se këto dy projektligje nuk votohen në Kuvend, ashtu siç edhe ndodhi me ndryshimet në Kodin Civil, cili do të jetë qëndrimi juaj?

Votimi nuk bëhet duke iu referuar numrave në parlament, por bëhet duke iu referuar dy komponentëve: nevojës, për të bërë këtë reformë dhe besoj se këtu biem dakord të gjithë, të majtë e të djathtë, të qendrës, të parlamentit, jashtë parlamentit, të qeverisë, jashtë qeverisë dhe arsyeshmërisë së artikulimit të reformave, që do të thotë sa të standardeve evropiane janë këto reforma. Këto janë reforma, të cilat kurrsesi nuk mund të bëhen brumë ose argument i diskutimit politik, janë detyrime për t’u përmbushur nga ky vend. Kush nuk e kupton këtë lloj konceptimi të këtyre reformave, do të thotë se është minimalisht i papërgjegjshëm përballë qytetarëve dhe përballë të ardhmes evropiane dhe demokratike të këtij vendi. Mazhoranca është maksimalisht e vendosur që edhe me sakrifica të tilla të çojë reformën deri në fund.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›