PS91: Edi Rama është turpi i socialistëve dhe jo lider i tyre
Kur e braktisi Edi Ramën për t’ju bashkuar Petro Koçit në partinë e tij, Ilir Kokona, kryetar i njësisë bashkiake nr. 3, mori me vete edhe riskun e ndëshkimit të mundshëm nga ana e shefit të tij në parti e në bashki, Edi Rama. Kështu shprehet vetë Ilir Kokona, kur thotë se shtëpia e të atit të tij është tentuar të prishet dy ditë më parë nga Policia Bashkiake, për shkak se, sipas sqarimeve që vijnë nga bashkia, shtëpia është pa leje ndërtimi.
Ndërsa Kokona paraqet para mediave lejen e ndërtimit, përfaqësuesit e bashkisë pretendojnë se dy kate të shtëpisë janë pa leje, dhe pikërisht tani, pak ditë pasi Kokona është larguar nga PS, është konstatuar nga bashkia se në shtëpinë e Kokonës ka shkelje të ligjit.
Duke marrë shkas nga ky akt, Ilir Kokona doli dje para mediave dhe tha se, kur i kishte komunikuar Ramës vendimin se do të largohej nga PS, ky i fundit e kishte kërcënuar se do të ndëshkohej rëndë, nëse do të merrte një hap të tillë. Kokona pretendon se prishja e shtëpisë nga policia bashkiake me urdhër të Ramës është pikërisht pasojë e braktisjes së Ramës, gjë për të cilën Kokona pretendon të ketë marrë kërcënime serioze nga Rama.
“Kam ikur nga Partia Socialiste për t’i dhënë një ndihmesë shumë të madhe të majtës shqiptare, ashtu si të gjithë këta miq që jemi këtu. Megjithatë, para se të largohesha nga zoti Rama, kam qenë në zyrën e tij dhe i kam thënë këto arsye që po them ju. Dhe më tha: “Mendoje mirë, se do të kesh shumë probleme me mua”. Kujtova se e kishte me shaka, por absolutisht ishin të vërteta. Përveçse më solli njerëz që Rama i mban me vete si të fortë, për të më kërcënuar, e pa që nuk ia doli dhe atëherë filloi kërcënimet në shtëpinë ku im atë ka ndërtuar. Është një shtëpi me leje, trekatëshe. Sipas vendimit të Ramës, ja ku është dhe leja e shtëpisë”, - tha Kokona.
Reagimi
Përfaqësuesi i bashkisë tha dje se shtëpia e Kokonës është e jashtëligjshme, pasi nuk e ka lejen e ndërtimit, dhe kjo është arsyeja e prishjes së kësaj ndërtese. Në reagimin e Policisë Bashkiake hidhet poshtë pretendimi i Kokonës, sipas të cilit akti i prishjes së shtëpisë së tij nga Policia Bashkiake është hakmarrje e Ramës pas largimit nga PS dhe anëtarësimit në PS91. “Unë nuk e kuptoj këtë zotërinë se çfarë kërkon dhe si reagon në këtë mënyrë. Ka bërë një ndërtim trekatësh, të cilin e ka legalizuar në vitin 2002 me një vendim të KRT, dhe pas këtij ndërtimi ka bërë dhe një ndërtim dy kate mbi të, po ashtu të paligjshme, të cilat pretendon se i ka futur në procedurë legalizimi. Është zbatuar ligji. Ky zotëri, dhe si qytetar, dhe si kryetar i zgjedhur që përfaqëson, është i barabartë para ligjit. Duhet të dorëzojë dokumentet pranë Inspektoratit ndërtimor”, - thuhet në reagimin e përfaqësuesit të bashkisë.
Për të njëjtën çështje, Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun në PS91, Gjergj Koja, u shpreh se Edi Rama nuk mund të jetë lideri i socialistëve dhe as kryeministër i tyre.
“Edi Rama është turp i socialistëve. Ai nuk mund të jetë as socialist, as lider i opozitës e aq më pak një kryeministër. Ky fakt i turpshëm, flagrant, i përdorimit të Policisë Ndërtimore dhe Policisë Bashkiake për t’i bërë presion një socialisti të mirëfilltë si zoti Kokona, është një prirje e qartë se ne kemi fotokopjen e zotit Berisha në Partinë Socialiste dhe në pushtet. Kur sot ai, pra zoti Rama, në opozitë përdor të tilla mekanizma, atëherë imagjinoni se ç’mund të bëhet nesër, nëse zoti Rama, nën cilësinë e kryeministrit, do të vepronte dhe do të reagonte po me këto metoda represive ndaj cilit do qytetari shqiptar”, - tha Koja.