E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj: “Do të thellojmë reformën në sistemin e drejtësisë”

Autori i Lajmit: red.
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, lajmëroi të martën vazhdimin dhe thellimin e reformës në sistemin e drejtësisë në funksion të realizimit të standardeve bashkëkohore. Kreu i Ministrisë së Drejtësisë ka prekur funksionimin e Prokurorisë, gjykatave, Këshillit të Lartë të Drejtësië dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme si pjesët përbërëse të sistemit të drejtësisë. Sipas tij, për rinovimin e sistemit në tërësi duhet rinovuar secili prej këtyre institucioneve.
Në një intervistë ministri Alibeaj vlerësoi ecurinë e deritanishme të kësaj reforme duke konfirmuar se nisma të tjera ligjore do të ndërmerren nga dikasteri që drejton për mirëfunksionimin e sistemit.
Për të, ndër arritjet e kësaj reforme janë miratimi gjatë vitit që sapo lamë pas, i një sërë ligjesh shumë të rëndësishme si ai për organizimin dhe fuksionimin e pushtetit gjyqësor apo ligji për Prokurorinë, të cilat theksoi ai, "janë ligje serioze tepër të rëndësishme dhe të dobishme për sistemin e drejtësisë".
Në këtë drejtim, ministri shtoi se "procesi ishte i tillë që pati edhe një moral të përbashkët politik. Që një reformë të konsiderohet serioze dhe jetëgjatë si dhe për të qenë e suksesshme, duhet të ketë jo vetëm sofistikimin teknik, por edhe këtë moral, pra të gjithëpranimit të frymës së re reformuese".
Lidhur me këtë reformë jetike për interesat e vendit në proceset integruese në strukturat euroatlantike, ministri Alibeaj, duke theksuar se është vetëm fillimi, shprehu besimin që fryma e re e saj është injektuar si në ambientin politik edhe në atë juridik. "Vetëm kështu reforma në këtë sistem do të mund të arrijë standardet e kërkuara", - tha ai.
Më tej, Alibeaj tregoi për strategjinë e kësaj ministrie dhe nismat ligjore që do të ndërmerren për vitin në vijim, duke deklaruar se ndryshe nga viti i kaluar, ku nismat ligjore ishin fokusuar përgjithësisht në statusin e zyrtarit si gjyqtarit, prokurorit, avokatit, iniciativat e reja ligjore do të përqendrohen te statuti i shërbimit të strukturave të këtij sistemi.
Si për ta ilustruar këtë, ministri Alibeaj përmendi ndër ligjet që do të reformohen atë për Kodin e Procedurës Civile dhe Kodin e Procedurës Penale, që siç theksoi ai do ta bëjnë sistemin e drejtësisë më të prekshëm për publikun, duke rritur kësisoj transparencën e tij.
Duke bërë një ekspoze të shkurtër të punës së bërë në këtë drejtim dhe asaj që po bëhet, ministri theksoi se një pjesë e ligjeve janë draftuar, të tjerë janë depozituar në Parlament si ligji për Gjykatat Administrative.
Si nisma të reja ligjore ai veçoi ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë apo ligjin për bashkëpunimin ndërgjyqësor mes Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, zbatimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me shtetet e tjera për ekstradimet, njohjet e vendimeve penale. Gjithashtu, përmendi nismën për reformimin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, një sektor tepër i rëndësishëm.
Sa i takon çështjes së imunitetit të gjyqtarëve, ministri rikonfirmoi idenë për ridimensionimin e konceptit të imunitetit të funksionarëve. "Sigurisht që një hap është bërë, - tha ai,- duke përmendur ligjin për Prokurorinë, ku koncepti i imunitetit tashmë është shfuqizuar".
"Për gjyqtarët është ndryshe. Ligji për Organizimin dhe funksionimin e Pushtetit Gjyqësor parashikon dispozitat e imunitetit të tyre, e cila eshtë një parashikim ligjor që bazën e ka te Kushtetuta. Për gjyqtarët, koncepti i imuniteti është i shkruar në Kushtetutë, çka do të thotë se, nëse do të ketë tentativë dhe duhet të ketë, për ridimensionimin e konceptit të imunitetit, është e domosdoshme që kjo të reflektohet në ligjet respektive", - tha ai.
Lidhur me impaktin e kësaj reforme, ministri tha se të gjithë mund të duartrokasim kur arrijmë të miratojmë ligje të mira dhe kjo ka ndodhur në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor”, i cili ka sjellë standarde shumë të mira. Por, suksesi do të mund të vlerësohet vetëm ateherë kur ligji të njohë zbatim konkret.
"Elementet e para të reformës janë të dukshme dhe të prekshme, - tha ministri, duke iu referuar këtij ligji, ku është realizuar ndarja e procesit të dhënies së drejtësisë nga gjyqtarët nga puna administrative në gjykata".
Sipas tij, sot në gjykatat e shkallës së parë nuk ndodh që proceset të mos fillojnë në orar dhe kjo për ministrin është tregues që serioziteti i drejtësisë fillon në korrektesinë që funksionarët duhet të kenë ndaj publikut, në respektimin e tyre.
Por ministri shprehu rezerva "për cilësinë e vendimmarrjes nga gjykatat, duke pretenduar se cilësia e vendimmarrjes nuk ka ndryshim". Në këtë kontekst, ai mbështeti idenë për një reformim të brendshëm të gjyqësorit, pra gjyqtarët e shkallës së parë të monitorohen nga ata të Apelit e më pas nga Gjykata e Lartë.
Në këtë kontekst, ai theksoi se Ministria e Drejtësisë është fokusuar që, përmes ligjeve, të përcaktojë qartë përgjegjësitë e funksionarëve në funksion të eliminimit të praktikave abuzuese, por edhe në promovimin e personave me integritet në sistemin gjyqësor.
Marrë nga ATSH
Ky lajm është publikuar: 14/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›