E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, emra jashtë strukturave të partisë

Autori i Lajmit: Suela Topi
Partitë politike pritet që brenda pak ditëve të propozojnë emrat e rinj të anëtarëve për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Reforma Zgjedhore solli jo vetëm një Kod të ri, por dhe një rikompozim të plotë të KQZ-së, e cila tashmë nuk do të jetë më me 9, por me 7 anëtarë. Në këtë kuadër partitë politike kanë nisur diskutimet për emrat e rinj. Burime nga Partia Socialiste kanë pohuar për gazetën se emrat e KQZ-së që pritet të përfaqësojnë partinë më të madhe opozitare do të jenë emra të rinj dhe të paaktivizuar në strukturat partiake, edhe pse fillimisht ideja e selisë rozë ka qenë që pjesë e KQZ-së së re të ishin juristët e kësaj partie apo dhe ekspertët që u morën me hartimin e Kodit Zgjedhor. Madje, një tjetër variant ka qenë dhe vazhdimësia e punës së disa prej emrave aktualë të KQZ-së, por duket se këto mundësi kanë rënë.
Variantet e PS-së
Me ndryshimet e rregullave të garës elektorale dhe më pas të vendimit për ndryshimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Partia Socialiste nisi diskutimet për emrat e rinj të kësaj strukture. Varianti i parë i hedhur në tryezë ishte vazhdimësia e disa prej anëtarëve aktualë të këtij Komisioni. Por duket se ideja është hedhur poshtë duke dhënë një tjetër alternativë atë të përzgjedhjes si anëtarë të KQZ-së të ekspertit të socialistëve, i cili u mor me hartimin e Kodit të ri Zgjedhor, Damian Gjiknurit. Edhe pse kjo alternativë duket e pëlqyer për socialistët, ata nuk përjashtojnë mundësinë që në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të jenë anëtarë krejtësisht të rinj dhe të paangazhuar në strukturat e partisë. Ndërkohë që demokratët duket se janë më pranë variantit për të lënë në detyrë njërin nga përfaqësuesit aktualë të saj në këtë komision dhe si anëtar të dytë të zgjedhin ekspertin që u angazhua për hartimin e Kodit Zgjedhor, Oert Bylykbashin. Pikëpyetja mbetet për anëtarët që pritet të propozohen nga dy partitë e tjera, njëri nga mazhoranca dhe tjetri nga opozita përkatësisht Partia Republikane dhe ajo Socialdemokrate, edhe pse duket se PSD nuk është shumë e sigurt nëse do të jetë ajo që do të propozojë anëtarin e KQZ-së. Socialdemokratët kanë reaguar menjëherë pas deklaratave të bëra nga sekretari për Çështjet Zgjedhore, në PS, Kastriot Islami, i cili pohoi se për anëtarët e rinj të KQZ-së do të diskutohet mes partive të majta. Kryetari i socialdemokratëve, Skënder Gjinushi, pohoi se PSD ligjërisht ka të drejtë të propozojë një anëtar për KQZ-në. “Unë nuk merrem me intervista që jepen menjëherë pas pushimeve, nga një njeri që s ka dalë qëllimisht për të dhënë një intervistë, quhen improvizime. Ne kemi të drejtë me Kodin, me ligjin dhe me Kushtetutën. Në bazë të Kodit ne kemi të drejtën e propozimit, dhe rrjedhimisht, dhe të përfaqësimit me anëtarë komisioni”,- tha Skënder Gjinushi.
Kodi
Me hyrjen në fuqi të Kodit Zgjedhor, i miratuar për të dytën herë me konsensus më 29 dhjetor, partitë duhet të përzgjedhin anëtarët e rinj brenda këtij muaji, në mënyrë që të kenë kohë të përgatisin zgjedhjet, që me Kushtetutë duhet të zhvillohen në qershor të këtij viti. Sipas formulës në ligjin e zgjedhjeve, KQZ do të përbëhet nga shtatë anëtarë, jo nga nëntë që ka aktualisht. Dy anëtarë propozohen nga partia që ka numrin më të madh të vendeve nga partitë e mazhorancës qeverisëse, PD dhe 2 anëtarë nga partia e opozitës që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvendin e Shqipërisë, PS. Anëtari i pestë i KQZ-së do të zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të mazhorancës qeverisëse. Ndërsa anëtari i gjashtë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të opozitës parlamentare. Anëtari i shtatë dhe njëkohësisht kryetari i KQZ-së, zgjidhet nga grupi parlamentar i partisë më të madhe të mazhorancës, që i paraqet Kuvendit një liste prej jo më pak se katër kandidaturash.

Ky lajm është publikuar: 14/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›