E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS dhe LSI përplasen me njëra-tjetrën

Autori i Lajmit: red.
Buxheti i Bashkisë ka sjellë përsëri përplasje mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Këshilltarët bashkiakë të PS-së pohojnë se rrëzimi i buxhetit të Bashkisë së Tiranës për 2009-ën ka demaskuar LSI-në dhe akuzat e saj. “Më 18 shkurt Meta dhe grupimi i tij politik u votuan për të mirëqeverisur bashkitë më të mëdha të vendit me bashkinë e Tiranës në krye, së bashku me Partinë Socialiste dhe aleatët e tjerë, dhe jo për t u bashkuar me Partinë Demokratike kundër buxhetit të qytetarëve. Ndihemi shumë të keqardhur që një ish-aleati ynë, Meta, ka një vit që akuzon Partinë Socialiste për bashkëpunimin në Parlament, për të futur Shqipërinë në NATO dhe në BE, dhe mbron një provë të qartë të gatishmërisë së tij për të bashkëpunuar me Partinë Demokratike dhe Berishën për të futur Tiranën në një qorrsokak”, - u shpreh Mimi Kodheli. Ndërkohë LSI shpjegon votën e saj duke pohuar se është për shkaqe teknike dhe nuk ka të bëjë me konfliktin politik me Partinë Socialiste, jo me faktin që jemi vetëm 6 muaj para zgjedhjeve parlamentare dhe jo me faktin që e majta do të hyjë e ndarë në zgjedhjet e ardhshme. “Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka bashkuar asnjëherë votat me Partinë Demokratike, sepse ky ka qenë qëndrimi ynë. Ne kemi votuar kundër edhe votimit që bëri Këshilli Bashkiak për parkingjet e famshme”, - tha Monika Kryemadhi. Ajo shtoi se ndryshe nga PD, LSI e bazon votën e saj në argumente konkrete. “Grupi i këshilltarëve demokratë votoi kundër dhe është shprehur kundër këtij projektbuxheti, por nuk ka paraqitur asnjë alternative, asnjë propozim, asnjë sugjerim me mënyrën e përmirësimit të këtij projektbuxheti. Pra, është një votë politike. Vota jonë nuk është një votë thjesht politike, po është një votë në shërbim të qytetarëve, të njerëzve që ne përfaqësojmë”,- u shpreh Sokol Dervishaj.

Ky lajm është publikuar: 14/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›