E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia greke bashkëpunonte në trafikun e prostitucionit

Dy vëllezërit Shehu nga Berati ngritën “perandorinë” e tyre në det, paguanin edhe punonjës policie për “t’i lënë të qetë”

Dy vëllezërit Shehu, me origjinë nga Berati, arritën të ngrinin një organizatë të mirëfilltë kriminale në qytetin e Athinës, Greqi, duke trafikuar dhe shfrytëzuar disa vajza ruse dhe ukrainase për prostitucion. “Perandorinë” e ngritën në det të hapur, duke blerë pesë jahte që kishin një vlerë nga 600 mijë deri në një milion euro, ndërsa klientët e tyre ishin persona të rëndësishëm në Greqi. Vëllezërit Shehu emigruan në Greqi në fillim të viteve ’90. Fillimisht “pre” e tyre kanë qenë vajza nga Shqipëria, ndërsa më pas, shfrytëzonin lidhjet, dhe arritën të trafikonin dhe shfrytëzonin vajza të “klasit të parë”, nga Rusia dhe Ukraina, duke i joshur me paga të larta. Fitimet e tyre, sipas të dhënave që kanë mbërritur nga autoritetet e drejtësisë greke, arrinin në 12 mijë euro në ditë, ndërsa një klient, përveç jahtit, duhet të paguante në bazë të orëve edhe vajzat që do i shoqëronin përgjatë xhiros që do të kryente. Nëse jahti nuk do të lëvizte, atëherë “vepra penale e shfrytëzimit të prostitucionit” do të realizohej në jahtin e akomoduar në port.

Bashkëpunimi

Drejtësia shqiptare dhe ajo greke kanë filluar një hetim të plotë për veprimtarinë kriminale të dy vëllezërve Sokol dhe Aleksandër Shehu. Në Greqi dy vëllezërit po hetohen për “shfrytëzim prostitucioni” dhe “krijim të organizatës kriminale”. Ndërsa në Shqipëri po hetohen nga dy prokurori të ndryshme. Njësia hetimore Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës po i heton për konsumimin e veprës penale të “pastrimit të parave”, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda po i verifikon të gjithë aktivitetin pasuror në bazë të ligjit të ri “Antimafie”. Nga kontaktet me drejtësinë helene është arritur të zbulohet edhe aktiviteti i tyre kriminal, madje, edhe bashkëpunimet me policinë vendase për krijimin e “organizatës kriminale”. Ka dyshime se dy vëllezërit nga Berati kishin rekrutuar në radhët e tyre edhe punonjës të policisë së Athinës për të marrë informacione nëse uniformat blu ishin në gjurmët e tyre. Aktiviteti i tyre kriminal dyshohet se është ndihmuar edhe nga policia greke, duke mundësuar në këtë mënyrë jetëgjatësinë e kësaj organizate kriminale, e cila ofronte shërbime për klientët VIP, duke organizuar edhe festa me vajza nga Rusia dhe Ukraina. Nga të dhënat e drejtësisë greke mësohet se hetimi për këtë grup kriminal kishte filluar tre vjet më parë dhe nën hetim janë vënë Sokol dhe Aleksandër Shehu, por nga përgjimi i telefonave të tyre celularë kanë dalë edhe emrat e punonjësve të policisë që komunikonin me ta. Gjithçka funksiononte si një organizatë kriminale dhe aktiviteti i tyre është cilësuar i paligjshëm nga drejtësia greke, e cila ka sjellë kërkesa në Shqipëri për sekuestrimin e pronave që mund të kenë prejardhje nga kjo veprimtari kriminale.

Hetimi pasuror

Ndërsa në Greqi drejtësia vendase po mundohet të zbardhë të gjithë organizatën kriminale, në Shqipëri puna po përqendrohet në evidentimin e pasurive të paligjshme që ka ngritur kjo organizatë kriminale. Ka dyshime se shoqëria “Shehu” ka pastruar para në vendin tonë dhe të ardhurat e fituara nga aktiviteti kriminal në Greqi i kanë investuar në prona të paluajtshme. Një gjë e tillë, sipas prokurorisë shqiptare, është pastrim i pastër i parave dhe personat konkretë duhet të faktojnë burimin e këtyre të ardhurave. Mësohet se dy vëllezërit Shehu kanë bërë një lojë të dyfishtë, teksa në Greqi kanë pohuar se paratë kanë ardhur nga bizneset që kanë ngritur në Shqipëri. E kundërta mund të ndodhë tashmë në vendin tonë, ku Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton të gjitha pasuritë e këtyre personave. Ata mund të pretendojnë se pasuria ka ardhur nga aktiviteti i ligjshëm në Greqi. Por burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda deklarojnë se bizneset që janë në pronësi të vëllezërve Shehu janë regjistruar në Drejtoritë e Tatimeve me humbje dhe si pasojë nuk mund të justifikojnë prejardhjen e këtyre të ardhurave. Nëse ndodh që pasuria nuk mund të justifikohet, atëherë Gjykata e Krimeve të Rënda e bllokon këtë pasuri dhe pasi të ketë marrë vendim të formës së prerë vendos konfiskimin dhe kalimin e saj si “pronësi shtetërore”. Disa javë më parë Gjykata e Krimeve të Rënda ka bllokuar një pasuri të dy vëllezërve Shehu në vlerën e 2.6 milionë euro.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›