Alibeaj: Gjyqësori është kthyer në biznes
• Gjyqësori në Shqipëri është kthyer në biznes. Ministri i Drejtësisë duke iu referuar me ironi një broshure të Bankës Botërore, kritikoi dje ashpër duke akuzuar gjyqësorin dhe veçanërisht gjyqtarët e Tiranës.Fatos Mahmutaj “Do të bësh biznes në Shqipëri? Bëhu gjyqtar!”, citoi ministri pjesë nga raporti. Sipas tij, në raport gjyqësori taksativisht shihej si një pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit, ndërsa Shqipëria qëndronte në vendin e fundit për nga korrupsioni. “Tatimet dhe Doganat, si dy institucionet më të përfolura kishin bërë ndryshme pozitive, ndërsa gjyqësori ka mbetur më i korruptuari”, tha Alibeaj, i cili shtoi se pranonte se ka vështirësi në gjykim, por 12 gjyqtarë të Apelit Tiranë shpallin vendime dhe i mbajnë me muaj të tërë pa i arsyetuar për t’ua dhënë palëve. Në një rast vendimi i është dorëzuar palëve pas 7 muaj e 23 ditë, ndërsa për 2007 janë rreth 600 vendime të arsyetuara me vonesë. “Këtu kemi të bëjmë me paaftësi apo pasaktësi, ose dhe me korrupsion. Ekziston ai parimi që thotë: njërës palë i intereson vendimi, tjetrës arsyetimi”, tha ministri. SpahiuNdërsa Kreshnik Spahiu, nënkryetari i KLD-së, pohoi se Këshilli njeh ngarkesën e punës dhe cakun për secilin gjyqtar. “Kur cenohen të drejtat në proces, nuk justifikohet asnjë lloj ngarkese. Janë shfaqur fraksione dhe konflikte brenda trupave gjykuese, të cilat kanë shkuar deri te kryetari i gjykatës. Antagonizmi është çuar deri te publiku”, tha Spahiu, duke shtuar se KLD-ja merrte parasysh faktin se gjyqtarët deri te kreu i gjykatës janë vërtet të pavarur, por duhet të zbatojnë ligjet. Sipas tij, inspektimi i punës për “fraksionistët” do të nisë nga Gjykata e Tiranës, ndërkohë OSBE paraqiti pak kohë më parë një analizë të plotë të qartë të Gjykatave të Apelit, ku evidentonte vendime sipërfaqësore. Më tej, Spahiu pohoi se do hetohet puna e krerëve të gjykatave të kryeqytetit. Për shkak të mangësive, zvarritjeve, problemeve serioze, në këtë institucion do të bëhet një inspektim i përgjithshëm për të gjitha kritikat e ndërkombëtarëve dhe ankesat e qytetarëve. Sipas tij, do të zhvillohet një operacion i ngjashëm me atë “fshesa”. DebatiPasi ministri Alibeaj i akuzoi gjyqtarët për korrupsion, që reflektohej në mjetet e tyre luksoze, dhe Spahiu pohoi se duhet të hiqnin dorë nga mësimdhënia gjatë orarit të punës. Gjyqtarët e pranishëm reaguan duke pretenduar se nuk mund të përgjithësohej gjithë komuniteti i gjyqtarëve në këto akuza. Ata i kërkuan ministrit të përcaktonte gjykatësit e korruptuar, ndërsa Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve i kërkoi atij sqarime për strategjinë që duhet të ndiqte për përmirësimin e gjyqësorit, veç akuzave dhe presioneve. Pas kësaj ministri pohoi se duhej të largohej, pasi debati ishte bërë teorik dhe kishte humbur rëndësinë.