E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia çel fondin për ushqimet e konviktit të shkollës së mesme

• BERAT – Në një mbledhje urgjente të organizuar dje në Bashkinë e Beratit zgjidhet shqetësimi i konviktorëve të shkollës së mesme “Kristo Isak”. Pas mungesës së furnizimit me ushqime të mensës së konviktit prej 350 nxënësish, dje u vendos lëvrimi i fondit prej 7.5 milionë lekësh. Në mbledhjen që drejtohej nga nënkryetari i Bashkisë Stavri Ceca është analizuar gjendja e krijuar në këtë konvikt prej tre muajsh. Si konkluzion i saj ka qenë akordimi i menjëhershëm i fondit, i cili do të prokurohet për të arritur në furnizimin korrekt të ushqimeve të konviktit të shkollës. Nënkryetari Ceca pohoi se gjendja e krijuar në konviktin e nxënësve të shkollës “Kristo Isak”, nuk është vetëm përgjegjësi e bashkisë, por edhe e Ministrisë së Arsimit. Sipas nënkryebashkiakut, kjo ministri nuk ka nxjerrë në kohë vendimin që konvikti t’i kalojë pushtetit lokal që do të ndikonte në mbarëvajtjen e punës. “Po të ishte koordinuar mirë puna midis Bashkisë së Beratit dhe Ministrisë së Arsimit do të ishte shmangur gjendja e krijuar prej 3 muajsh”, pohoi Ceca. Po dje, drejtuesit e bashkisë janë shpërndarë për të kryer të gjitha veprimet që do të ndryshojnë këtë gjendje. Ata kanë shkuar në shkollë dhe në konvikt, ku kanë marrë kontakt me drejtuesit e tyre, duke u njohur me gjendjen dhe premtuar zgjidhjen e shpejtë të saj. Drejtoresha e shkollës, Afize Skëndo tha se “ne si drejtori jemi në pritje të veprimeve konkrete nga ana e bashkisë, pasi kemi pothuajse 3 muaj që presim prej saj të ndërhyjë me fondin përkatës që kjo gjendje të mos krijohej. Si pasojë e problemeve të furnizimit me ushqime kanë braktisur konviktin e shkollës plot 100 nxënës, të regjistruar në fillim të vitit”. Nxënësit e larguar ishin banorë të fshatrave të Beratit dhe të qyteteve të tjera pranë që nisën mësimet në shkollën e mesme të përgjithshme “Kristo Isak”, por në pamundësi për të përballuar ngrënien jashtë ambienteve të caktuara u detyruan ta braktisin atë. Në të gjithë shkollën mësojnë 800 vetë, ku afro gjysma jetojnë në konvikt.                             d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›