E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punë shoferësh..?!

• Martin LekaJalla, shofer, jalla, ku je tu m'çue...?! Kështu i këndojnë zakonisht shoferit udhëtarët ekskursionistë, sidomos kur ata kanë rrugë të gjatë apo kur shoferi ndjehet i lodhur apo i përgjumur në timon. Duke lexuar një intervistë të Ben Blushit dje në një të përditshme, i cili në mënyrë figurative krahasonte PS-në me një autobus të viteve '80, ku shkruhej e thuhej "mos i fol shoferit", ndjesia e parë që m'u krijua ishte një përfundim i trishtë, se me PS-në po ndodh ajo që askush më mirë se ndonjë fjalë e urtë nuk e shpreh dot: "Miza nuk bëhet kurrë bletë". ***Po diskutohet shumë këto ditë mbi konsensusin dhe bashkëpunimin e Partisë Socialiste në opozitë dhe asaj ...Demokratike në pushtet. Eksponentë të lidershipit socialist e konsiderojnë atë si një fitore të madhe të tyre, madje gati-gati ndjehen krenarë si të kishin fituar një palë zgjedhje?!... Edhe në qoftë fitore vetëm për udhëheqësit socialistë, hallall, si i thonë! Fundja, kanë kaq kohë dhe edhe një fitore imagjinare rrit humorin dhe i bën ata më optimistë. Po nejse, bashkëpunimi dhe konsensusi në demokraci, është gjë e mirë. Por, problemi është gjetkë. Ndërsa lidershipi socialist është fokusuar drejt konsensusit me PD-në, pyetja që shtrohet është e thjeshtë: pse Rama dhe PS nuk e arritën konsensusin më parë me vetë opozitën?! Sepse fundja, pikërisht kjo mungesë aftësie apo përgjegjshmërie po krijon pikërisht atë efekt të paparashikueshëm për vetë PS-në dhe opozitën.***Më telefonoi dje Dylgjeri, një miku im i vjetër: "A të kujtohet ajo kënga 'jalla shofer jalla, ku je tu m'çue'"?!... Unë gjithnjë e marr me humor dhe për batutë Dylgjerin, por kur hapa televizorin e pashë lajmin në Top-Channel - citoi - "LSI i zhvat PS-së 250 anëtarë", përfshirë kryetaren e Komunës (socialiste) dhe gjithë grupin e këshilltarëve bashkiakë, fillova ta marr seriozisht mikun tim dhe të reflektoj mbi "shoferin" dhe "autobusin"… "Shoferi" ka ndërmarrë prej kohësh turin e tij në bazë, një tur i mbiquajtur "Dialog me Shqipërinë", i cili gjithnjë e më tepër u konsiderua si një "monolog" (mos i fol shoferit), edhe pse një tur i tillë dhe emërmadh, do të ishte gjithsesi një nismë e mirë, interesante dhe e nevojshme gjer në domosdoshmëri. Por gjithashtu, duke njohur stilin dhe aksionin e "shoferit", gjithnjë e më tepër filloi të shprehej shqetësimi se ky nuk është asgjë më shumë se një "monolog". Duke parë një kronikë të djeshme të këtij "dialogu" në Vlorë, bindesh qartë për atë figuracionin e gjetur të Blushit: "Mos i fol shoferit". Lajmi theksonte se në kuadrin e dëgjesave të qytetarëve, kryetari i Bashkisë jep llogari para zgjedhësve për realizimin e premtimeve. Por ndërsa kronikani fliste për kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika, në TV shfaqej vetëm fytyra e "shoferit" të autobusit, ku Gjika është vetëm një udhëtar që s'duhet t'i flasë shoferit...***Turi i "shoferit" me "autobus" të vjetër, për paradoks, zhvillohet në emër të "politikës së re". Përkundër gjithë parashikimeve të fillimit, ky tur po përfundon si promovim mediokër i ndonjë agjencie turistike, ku udhëtarët e "Rama-Travel" gjithnjë e më tepër lënë mjetin e udhëtimit, sa për faj të autobusit, sa për drejtimin e shoferit.Dje, si për të vërtetuar gjithçka është thënë për atë që quhet "Dialog me Shqipërinë", një komunë e tërë, përfshirë kryetaren socialiste, gjithë grupin e këshilltarëve dhe 250 anëtarë, kanë lënë "autobusin" socialist të Ramës dhe i janë bashkuar publikisht Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe koalicionit të ri të pak ditëve më parë. Të ishte një komunë e vogël diku nga zonat e thella, mbase ky lajm do të sfumohej e "shoferi" nuk kishte pse të shqetësohej për "pasagjerët". Por duke qenë vetëm pak kilometra larg kryeqytetit dhe një komunë e rëndësishme; duke qenë se në Ndroq "autobusit" i zbritën të gjithë pasagjerët, "shoferit" i mbetet vetëm "të mbledhë lulet"…***…Jalla shofer jalla?!Dialogun e bëjnë me Ramën, teserat ia japin Metës…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›