Meçe: Qeveria na dha edhe godinën e KESH
• TIRANE - Gjykata e Tiranës së shpejti do të ketë një godinë të re, e cila do të ofrojë hapësira më të bollshme dhe më komode për gjyqtarët.Kreu i këtij institucioni, Albert Meçe, pohoi dje gjatë analizës njëvjeçare të punës në këtë gjykatë se me vendimin numër 33, datë 16 janar 2008, Këshilli i Ministrave kishte urdhëruar kalimin në dispozicion të kësaj gjykate të ndërtesës dhe ambienteve të tjera të dispecerisë qendrore të OST. Kjo godinë ndodhet ngjitur me gjykatën e kryeqytetit dhe aktualisht administrohet nga KESH. Sipas Meçes, tashmë kanë filluar negociatat dhe shumë shpejt do të mundësohet që Gjykata e Tiranës të ketë një godinë të re, funksionale dhe dinjitoze. Kjo, sipas tij, do të shtojë ambientet për gjyqtarët si dhe numrin e sallave për zhvillimin e proceseve në to dhe jo nëpër zyrat e gjykatësve, siç aktualisht ndodh rëndom. Gjatë analizës Meçe përmendi shifra, sipas të cilit në institucionin që drejton gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 21.069 çështje të reja, nga të cilat 15.749 ose 75% janë përfunduar. Nga këto çështje, 2.133 janë penale dhe 12.246 civile. Mesatarisht, sipas kryetarit Meçe, çdo gjyqtar kryeqytetas ka shpallur gjatë vitit të kaluar 315 vendime. Në krahasim me vitin e kaluar kjo gjykatë ka shqyrtuar rreth një mijë çështje më tepër. fa.ma.