E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj: Greva për interesa të vogla meskine nga njerëz pa respekt për votën e lirë

Greva e urisë së 10 deputetëve, është një grupim njerëzish për interesa të vogla meskine. Kështu është shprehur dje Minsitri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, I cili i ka quajtur grevat e urisë, si mjet të moralshëm, por jo kur ato bëhen nga persona që nuk kanë respekt për votën e lirë. Deklarimet e tij Ministri i Drejtësisë, i ka bërë gjatë një tryeze diskutimi të Forumit për Demokraci dhe Etikë organizuar dje me temë mbi “Lirinë e votës, Medias dhe Besimit si shtylla themelore për një demokraci të shëndetshme”. Të pranishëm në këtë tryezë ishin Ministri i Drejtësisë, Enkeljed Alibeaj, Deputeti i Partisë Socialiste, Marko Bello, Drejtori i NRB-së, Frank Wright dhe Dashamir Bërxulli - Drejtor i FDE në Kosovë, Shef Departamenti ne Universitetin e Prishtinës. Në diskutimin e tij, Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, u fokusua te e drejta e votës. Duke bërë lidhjen me grevën e 10 deputetëve, Alibeaj tha se e drejta për të zgjedhur është e drejtë e qytetarëve dhe jo njerëzve rastësor në vendimmarrje. “Duke iu referuar grevës që po bëhet, duket se e drejta për të zgjedhur nuk është argument i qytetarëve, por i disave që rastësia i ka bërë që të jenë përfaqësues, por ata duket se përfaqësojnë interesa të vogla meskine”, u shpreh Alibeaj në lidhje me grevën që po zhvillohet nga përfaqësues të LSI-së dhe PDK-së në sallën e parlamentit. “Këtu kemi të bëjmë me një keqkuptim të madh pasi besohet se zgjedhjet fitohen ditën e zgjedhjeve. E vërteta është se zgjedhjet fitohen duke punuar që ditën e parë pas zgjedhjeve deri në ditën e heshtjes zgjedhore, u shpreh Alibeaj, duke shtuar se kjo u duhet mësuar personave që përdorin mjete nga më të ndryshmet për hir të interesave personale”. “Grevat e urisë janë një mjet i moralshëm, por jo kur ato bëhen nga njerëz që nuk kanë treguar asnjëherë respekt ndaj votës së lirë”, deklaroi më tej Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj. Ndërkaq, deputeti i Partisë Socialiste, Marko Bello iu shmang qëndrimit për grevën ndaj dhjetë deputeteve të opozitës, duke u përqendruar te liria e medias. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›