Kush mendon se ato të fshehta nuk ndikojnë, gabohet
Lidhur me hapjen e dosjeve, më pëlqeu shumë qëndrimi i z.Lubonja që thotë se, “debati është përqendruar mbi pastrimin, në mos edhe poshtërimin e figurave kryesore politike dhe është përkthyer në luftën për pushtet midis forcave politike; se kush do të shtijë në dorë sekretet e dosjeve për t’i përdorur atë për pushtet politik. Është folur shumë pak për viktimat dhe të drejtat e tyre për të mësuar se nga u ka ardhur e keqja.
Kur ka rënë fjala për këtë të drejtë, është sjellë argumenti se, po të bëhej kjo, do të kishte hakmarrje, apo edhe shumë tragjedi familjare, sepse një pjesë do të mësonin se e keqja u ka ardhur nga të afërm të shtrenjtë. Ai i traumave familjare (më shumë sesa argumenti i hakmarrjes), është argument me peshë sepse, po t’i qëndrojmë logjikës së krahasimit, shoqëria shqiptare ndryshon mjaft kulturalisht me shoqërinë gjermane p.sh., në shoqërinë gjermane, personaliteti dhe identiteti i një individi nuk janë aq shumë të lidhur me klanin, apo nderin e familjes, së cilës i përket, siç ndodh në Shqipëri.
Nuk mund të thuhet se ky argument nuk qëndron, duke patur parasysh kontekstin shqiptar. Do të ishte padyshim tarumatike për fëmijë të bërë sot prindër, kur të mësonin se, prindi i tyre, sot i moshuar, ka qenë bashkëpunëtor i fshehtë i Sigurimit me pseudonimin “x” apo “y”.
E njëjta gjë mund të thuhet për miq të ngushtë. Do ta kishin vështirë të bënin pajtimin e asaj që njohin me atë që nuk njohin. Por, sipas meje, trauma që do të mund të shkaktonte ky moment, do të ishte më shumë pastruese, kthjelluese e emancipuese, sesa shkatërruese.
Ne do të kuptonim më mirë se pse jemi kështu si jemi, se pse marrëdhëniet tona i kemi kështu si i kemi. Sepse, kush mendon se ato të fshehta nuk ndikojnë, gabohet. Ato janë aty dhe kondicionojnë të tashmen tonë.