E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupi i punës, Bufi: Ja rastet kur hiqet imuniteti

Grupi i punës po i jep fund draftit për kufizimin e imunitetit. Deputetët gëzojnë imunitet kur bëhet fjalë për privacinë dhe lirinë personale

TIRANË - Prokuroria do të ketë të drejtën të nisë procedimin penal ndaj një deputeti, por nuk do të ketë mundësi që të përgjojë shërbimin e telefonisë dhe postën e tij elektronike, ashtu si nuk do të mund ta arrestojë atë. Vetëm në këto përmasa pritet të kufizohet imuniteti i të zgjedhurve të popullit në Kuvendin e Shqipërisë. Është bashkëkryetari socialist i grupit të punës së ngritur për hartimin e draftit për kufizimin e imunitetit, Ylli Bufi ai që tregon për projektin e skicuar për këtë çështje, i cili pritet t’i paraqitet më pas edhe të gjitha grupeve të interesit dhe forcave të tjera parlamentare për të dhënë sugjerimet e tyre. Bufi bënë të qartë që në fillim se, puna për hartimin e draftit, megjithëse është ende në fillesat e veta, palët në debat duket se kanë arritur që të bien dakord parimisht për një kufizim të pjesshëm të imunitetit të deputetit. Kështu, ai ka theksuar se, organi i akuzës, do të mund të nisë menjëherë procedimin penal, sapo ndaj një deputeti të ketë një akuzë zyrtare, pa qenë nevoja e marrjes më parë të pëlqimit të Kuvendit për dhënien e autorizimit, por duke ruajtur atë që ai e konsideroi si privaci apo liria personale. “Ideja nuk është më të mbajmë këtë imunitet që është, apo ta heqim atë. Ideja është të vendosim një standard të ri dhe standardi është se ka imunitet dhe do të vazhdojë të ketë imunitet, për atë që quhet liria personale e të zgjedhurit, ose ajo që ka të bëjë me kryerjen e funksionit të deputetit. Kjo është ajo pjesë e imunitetit parlamentar që mbetet, që nuk ndryshon”, - tha Bufi. Në këtë sens ai është shprehur se, megjithëse prokurorisë do t’i jepet e drejta e procedimit penal, ajo do të kufizohet në rrugët e hetimit, pasi nuk do t’i lihet mundësia që të mund të kryejë praktikat e saj të punës, siç mund të jetë përgjimi i telefonit të deputetit të akuzuar, apo edhe kontrolli i postës së tij elektronike. Gjithashtu, një tjetër kufizim, do të jetë edhe ai për kontrollin e dokumentacionit apo zyrës së një deputeti. Në këtë mënyrë, prokuroria, për të kryer kontrollin mbi këto elementë, do t’i duhet me patjetër që të kërkojë më parë autorizimin nga ana e parlamentit. “Duhet të ndryshojë dhënia e autorizimeve nga Kuvendi për procedimin penal. Kjo është një hallkë që, në shumë vende të tjera, është abroguar. Pra, deputeti, si gjithë të tjerët, mund të hetohet, mund të bëhet procedim ndaj tij, por nuk mund të cenohet ajo që quhet liria personale. Pra nuk mund të arrestohet, të kontrollohet apo përgjohet pa autorizimin e Kuvendit”, - theksoi Bufi. Ndërkohë, Bufi ka evidentuar në mënyrë të qartë se, rruga e vetme e realizimit të kufizimit të imunitetit të deputetit, është ajo nëpërmjet Kushtetutës, duke hedhur poshtë propozimet për një kufizim nëpërmjet një ligji të veçantë. Ai ka hedhur poshtë gjithashtu çdo akuzë të ngritur nga ndonjë forcë politikë në lidhje me një pakt të mundshëm PS-PD për këtë çështje, duke i garantuar këto zëra se, drafti që do të përgatitet, përpara se të miratohet, do të kalojë për konsultim me të gjitha forcat politike.

Kufizimet

Megjithëse prokurorisë do t’i jepet e drejta e procedimit penal, ajo do të kufizohet në rrugët e hetimit, pasi nuk do t’i lihet mundësia që të mund të kryejë praktikat e saj të punës, siç mund të jetë përgjimi i telefonit të deputetit të akuzuar, apo edhe kontrolli i postës së tij elektronike. Gjithashtu, një tjetër kufizim, do të jetë edhe ai për kontrollin e dokumentacionit, apo zyrës së një deputeti. Në këtë mënyrë, prokuroria, për të kryer kontrollin mbi këto elementë, do t’i duhet me patjetër që të kërkojë më parë autorizimin nga ana e parlamentit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›