Të dënuarit e Burgut të Lezhës prej dy ditësh refuzojnë ushqimin
Që prej dy ditësh disa të dënuar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimit Penal në Lezhë kanë refuzuar ushqimin e institucionit duke prishur regjimin e përditshëm të burgut. Çështjet kryesore që janë ngritur nga këta të dënuar janë: Vonesat e ekzekutimit të vendimeve penale, mosnjohja e ditëve të punës për efekt ulje dënimi dhe kërkesa për ulje dënimi dhe për amnistitë e fundvitit.
Sipas zyrtarëve të Burgjeve, të dënuarit, të cilët i kanë ngritur këto pretendime, nuk janë të cenuar nga këto çështje dhe se të gjitha të drejtat e tyre janë zbatuar sipas Ligjit në fuqi nr. 8328 për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve. Po kështu, drejtuesit e Burgjeve kanë ngritur pretendimin se të dënuarit kanë refuzuar ushqimin e institucionit, por kanë pranuar ushqimin që kanë sjellë familjarët e tyre. Përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve shkuan për të takuar të dënuarit dhe për të dëgjuar nga afër pretendimet e tyre. Pas verifikimeve të bëra rezultoi se asnjë nga të dënuarit që refuzonin ushqimin nuk kishin të drejtë ligjore për të kërkuar ulje dënimi ose amnisti, ose të kishte pasur raste për vonesa në ekzekutimin e vendimeve penale, apo të kishin qenë në marrëdhënie pune në institucion. Burgu i Lezhës ka kapacitet për 510 persona. Aktualisht ndodhen 455 të burgosur. Hapësirat e ajrimit në këtë institucion janë 1 herë më tepër se ato normale. Gjithashtu, në kuadër të përmirësimit të menaxhimit dhe të organizimit të institucionit, muajt e fundit janë bërë disa ndryshime në stafin drejtues.
13 Nentor 2008