“Lockheed Martin” do të modernizojë sistemin e kontrollit ajror civil
Sistemi shqiptar i kontrollit ajror civil do të modernizohet plotësisht falë një investimi që qeveria shqiptare do të bëjë në marrëveshje me kompaninë e fuqishme amerikane, “Lockheed Martin Global, Inc”. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të Ligjit nr. 7877, datë 30.11.1994, “Për aviacionin civil shqiptar” dhe të neneve 128 dhe 151 të Ligjit nr. 8485, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave vendosi: Miratimin e shtesës nr. 2 të kontratës, ndërmjet qeverisë shqiptare, të përfaqësuar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit (Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil) dhe “Lockheed Martin Global, Inc.”, për modernizimin e shërbimit të trafikut ajror shqiptar, të miratuar me vendimin nr. 665, datë 18.12.2002, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e projekt-kontratës, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe ‘Lockheed Martin Global, Inc.’, për modernizimin e shërbimit të trafikut ajror shqiptar”, të ndryshuar, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Fondet për financimin e shtesës së kontratës të përballohen nga burimet e përcaktuara në marrëveshjen e kredisë, të nënshkruar ndërmjet Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror (ANTA sh.a.), BNP Paribas dhe Export-Import Bank e SHBA-së, më 29.6.2005, si dhe nga të ardhurat vjetore të “ANTA sh.a.”-së. Për ndjekjen e zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil dhe Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror.
13 Nentor 2008