E Diel, 1 Nëntor 2026

Përdorimi i pajisjeve elektronike fiskale, qeveria përmirëson ligjin për biznesin



Ervin Koçi

Qeveria shqiptare, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, kë përgatitur disa përmirësime në ligjin që i detyron subjektet e biznesit që të përdorin për deklarimet financiare pajisje elektronike fiskale. Për këtë qëllim Ministria e Financave, në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, janë duke evidentuar edhe pikat kyçe të kësaj marrëdhënie me subjektet e biznesit, për të vënë sa më parë në zbatim projektin e ri. Sipas burimeve nga Ministria e Financave, aktualisht është duke u punuar për gjetjen e pajisjeve sa më të përshtatshme dhe të shoqërive, të cilat do të merren me instalimin e tyre tek biznesi si dhe më pas që do të merren me mirëmbajtjen e tyre. Për këtë qëllim edhe qeveria shqiptare, në mbledhjen e saj të djeshme mori vendimin për bërjen e disa përmirësimeve dhe plotësimeve në disa pika në ligjin që i detyron subjektet e biznesit të përdorin këto pajisje. Në mbështetje të pikës 3, të nenit 102 të Kushtetutës dhe të nenit 7, të Ligjit nr. 8485, datë 12.5.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi pikërisht bërjen e disa ndryshimeve, të cilat kanë lidhje më tepër me mirëfunksionimin dhe sigurinë maksimale të sistemit elektronik fiskal që do të krijohet.

Siguria e sistemit

Sistemi i komunikimit, ndërmjet tatimpaguesit (subjekteve të biznesit) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, do të realizohet nëpërmjet një rrjeti të sigurt transmetimi të dhënash të enkriptuara. Kështu ky sistem komunikimi, ndërmjet shoqërive të regjistruara në degën e tatimpaguesve të mëdhenj dhe DPT-së, duhet të realizohet nëpërmjet një rrjeti të sigurt transmetimi të dhënash të enkriptuara. Shoqëritë e regjistruara në degën e tatimpaguesve të mëdhenj, të cilat përdorin pajisje, sipas kërkesave të këtij vendimi, duhet të sigurojnë transmetimin e të dhënave të xhiros së pajisjes fiskale në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në formë elektronike, në mënyrë të detyrueshme, nëpërmjet sistemit “GPRS”-ë ose me ndonjë formë tjetër transmetimi, duke e marrë këtë shërbim nga shoqëritë në treg, që ofrojnë një shërbim të tillë, brenda datës 30 prill 2009. Transmetimi i të dhënave mujore të xhiros në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve bëhet brenda datës 10, të muajit pasardhës. DPT-ja hyn në marrëveshje kontraktuale bashkëpunimi me operatorët e telefonisë celulare, për sigurimin e shërbimit sipas kësaj skeme.

Të dhënat e xhiros

Personat, juridikë dhe fizikë, që do të mbajnë të dhënat e xhiros, nëpërmjet regjistruesit elektronik, janë të detyruar të mbajnë regjistrimet, në përputhje me kërkesat e këtij vendimi, sipas kalendarit të mëposhtëm: a) Brenda periudhës nëntor 2008-maj 2009, personat e regjistruar për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, të cilët administrohen nga drejtoria rajonale tatimore e tatimpaguesve të mëdhenj dhe drejtoria rajonale e Tiranës. b) Brenda periudhës janar-dhjetor 2009, personat e regjistruar për TVSH-në dhe tatimpagues të tatimit mbi fitimin, të cilët administrohen nga drejtoritë e tjera rajonale tatimore. c) Brenda periudhës qershor 2010, personat e regjistruar në biznesin e vogël, të cilët ushtrojnë veprimtari në Bashkitë e Tiranës, të Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Fierit, Lushnjës, Beratit, Sarandës, Korçës, Pogradecit, Elbasanit, Shkodrës e Lezhës. Po brenda këtij afati janë të detyruar të mbajnë regjistrime, nëpërmjet regjistruesve elektronikë fiskalë, edhe tatimpaguesit e biznesit të vogël në komunat Shëngjin, Golem, Rashbull, Orikum, Himarë dhe Ksamil. ç) Brenda periudhës dhjetor 2010, të gjithë tatimpaguesit e tjerë, të biznesit të vogël. Nuk janë të detyruar të përdorin regjistruesin elektronik fiskal, sipas kërkesave të këtij vendimi, profesionet e lira, ambulantët dhe shërbimi i transportit, të përcaktuara në aneksin nr.5, të Ligjit nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”. Rregullat dhe procedurat e instalimit dhe të përdorimit të pajisjeve fiskale janë njëlloj të zbatueshme si për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, ashtu edhe për tatimpaguesit e biznesit të vogël.

Fasonistët në vështirësi financiare, kërkojnë subvencion nga qeveria

Biznesi që punon me material të porositur nga jashtë, i cili mban dhe peshën kryesore të eksporteve shqiptare, ankohet se është në vështirësi të mëdha financiare. “Është e kotë të gënjejmë veten. Konkurrentët tanë i ndihmon shteti, kurse ne vetëm na merr”,- thotë Alfred Pjetra, një biznesmen fasonist. Gjatë një takimi me zëvendësministrin e Financave, Florion Mima dhe këshilltarin e kryeministrit, Petraq Milo, fasonistët thanë se kjo situatë ka ardhur për shkak të reformave fiskale që ka ndërmarrë qeveria. “Ju ulni sigurimet por rrisni pagën minimale pesë herë në vit dhe ne paguajmë edhe më shumë se sa paguanim me sigurimet e rritura”, - u shpreh Bardha Loci, një fasoniste. Ndërsa një tjetër fasonist, Ferdinand Kokona, theksoi se “për të konkurruar duhet të blejmë makineri të reja, që jo vetëm kushtojnë por kanë edhe një TVSH të lartë”. Qeveria nuk ka ndër mend të pranojë rishikimin e pagës minimale, por zëvendësministri Mima, u ka premtuar bizneseve të fasonit një lehtësim, që ka të bëjë me punonjësit e punësuar rishtazi. “Punonjësit e punësuar rishtas do të paguajnë vetëm 0.5 për qind sigurime”,- u shpreh Mima. Eksportet me material gjysmë të gatshëm, përbëjnë mbi 50 për qind të totalit të eksporteve shqiptare. Kjo industri është gjithashtu dhe një nga më të rëndësishmet në vend sa i takon punësimit.

Qeveria vendos të mbyllë shtypshkronjën e BSH-së

Qeveria shqiptare ka vendosur që të mbyllë përfundimisht ndërmarrjen shtetërore, që njihet si Shtypshkronja e Bankës së Shqipërisë, ose ndryshe si minifabrika që shtypte të gjitha llojet e letrave me blerë dhe të pullave fiskale e tatimore. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 31, të Ligjit nr.7582, datë 13.7.1992, “Për ndërmarrjet shtetërore”, të ndryshuar, dhe të nenit 128, të ligjit nr.8485, datë 12.5.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi që: Pika 8, e Vendimit nr. 598, datë 5.9.2007, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon: “8. Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë sh.a., me kapital shtetëror, t’i transferohen teknologjia dhe të gjitha makineritë e përdorura për shtypjen e pullave fiskale. Procedura e transferimit të realizohet nga komisioni i ngritur me urdhër të ministrit të Financave”.

Ndryshojnë tarifat e përdorimit të ujit për KESH-in dhe HEC-et

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 57, të Ligjit nr.8093, datë 21.3.1996, “Për rezervat ujore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe të ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave vendosi: Pas pikës 1, të Vendimit nr.23, datë 09.01.2008, të Këshillit të Ministrave, shtohet pika 1.1, me këtë përmbajtje: “1.1. Tarifat e përdorimit të ujit, të parashikuara në pikën 4, të tabelës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, janë 0, kur: a) në kontratën e koncesionit, për hidrocentrale, të lidhur nga autoriteti përkatës kontraktor, është parashikuar pagimi i tarifës së koncesionit nga ana e koncesionarit; b) “KESH sh.a., do të jetë shoqëri publike”. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Financave dhe këshillat e baseneve të ujërave për zbatimin e këtij vendimi.

13 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›