BSH: “Emigrantët këtë vit kanë sjellë më pak para në Shqipëri”
Pavarësisht pretendimeve të qeverisë shqiptare se “vendi ndodhet larg rrezikut të prekjes nga kriza ekonomike globale”, kjo e fundit mesa duket po prek ngadalë Shqipërinë por në disa sektorë kyç të ekonomisë. Një ulje drastike të shitjeve të pasurive të paluajtshme paraqitet nga një numër i madh agjencish imobiliare në Tiranë, të cilat sipas tyre rrezikojnë të mbyllen. Sipas një shifre mesatare, shitjet gjatë këtij viti deri tani kanë arritur në masën 50 për qind, pra gjysma e pikësynimeve të vendosura në janar të këtij viti. Ulja e interesit të emigrantëve për të blerë shtëpi gjatë këtij viti është mjaft shqetësuese. Në krahasim me tre vitet e shkuara, këtë vit kemi një ulje të ndjeshme të kërkesës së emigrantëve për shtëpi në zonat e ndryshme të kryeqytetit. Shumë qytetarë shprehen se nuk janë në gjendje të prenotojnë më një shtëpi, pasi me paratë që marrin nga rrogat u duhet të përballojnë vetëm jetesën. Por dhe mossjellja e parave nga emigrantët është ndier shumë në tregun vendas. Shumë prej agjencive imobiliare nuk kishin kërkesa fare për të blerë apartamente në Shqipëri deri sot. Faktor tjetër që ka ndikuar natyrisht si tek konsumatori shqiptar, ashtu edhe tek ai i huaj, është një rritje e madhe e çmimeve që kanë pësuar apartamentet edhe në zonat më periferike. Në këto zona, në qoftë se e krahasojmë me vitet e kaluara, çmimi është rritur nga 300 euro m2 në 550 euro m2. Kjo natyrisht që ka ndikuar në uljen e kërkesës për këto pasuri.
Abuzimet me pronat mbajnë larg të huajt e interesuar për pasuri të paluajtshme
Abuzimet me dokumentacionet e pronave dhe informaliteti janë bërë faktorë për të mbajtur larg investitorët e huaj seriozë që kërkojnë të investojnë dhe të blejnë prona të patundshme në Shqipëri. Një fenomen mjaft shqetësues për thithjen e investimeve të huaja është shfaqur gjatë këtij viti në Tiranë. Një numër i madh agjencish imobilaire na komunikojnë se kanë kontakte të shpeshta me shtetas të huaj, të cilët janë të interesuar për të blerë një apartament në qytetin e Tiranës. Pavarësisht këtij fakti, që çdo individ e koncepton si një rritje të interesit të të huajve për tregun vendas, realiteti na shfaqet krejt ndryshe. Sapo shkelin në Tiranë, të huajt hasin një sërë abuzimesh, të cilat nuk lejojnë hapësira investimi. Shumë prej agjencive shprehen se u komunikojnë këtyre shtetasve një çmim standard ,i cili aplikohet edhe për qytetarët shqiptarë. Por kur ndërtuesit, pra ata që ofrojnë për shitje një pasuri të paluajtshme, përballen me shtetas të huaj, menjëherë kërkojnë të përfitojnë prej tyre në forma të ndryshme duke rritur në nivele shumë të larta çmimin, gjë që sjell edhe zhgënjimin e të huajve. Duke u përballur me këtë diskriminim dhe me një moskontrollim nga ana e instancave shtetërore përkatëse të këtyre abuzimeve, pothuajse të gjithë shtetasit e huaj vendosin të largohen për të gjetur strehën e tyre të investimit në vendet fqinje, të cilat ofrojnë një treg shumë herë më të favorshëm se ai shqiptar.
13 Nentor 2008