Alibeaj: Kancelarët të përgjojnë gjyqtarët
Trazhgim Sokolaj
Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të zhvillojë sot një mbledhje të jashtëzakonshme me rend dite, diskutimin e iniciativës së ministrit të Drejtësisë për rregulloren e re të gjykatave, e cila u jep pushtet absolut kancelarëve. Rregullorja e re e ministrit të Drejtësisë, që ka shkaktuar reagimin e kryetarëve të gjykatave, të cilët u ngushtohen dukshëm kompetencat në raport me kancelarët, është prezantuar të dielën në një takim rrufe të thirrur nga kreu i dikasterit Alibeaj. Projekt-rregullorja pritet të shkaktojë debate te forta në Këshillin e Lartë të Drejtësisë jo vetëm për shkak të superkompetencave që i jep kancelarëve, por edhe për të drejtën që u jepet atyre për të ndërhyrë në jetën private të togave të zeza. “Kancelari informon ministrin për ngjarjet e jashtëzakonshme që ndodhin në jetën private të administratës së gjykatës”, thuhet në një nga pikat e rregullores së hartuar nga Ministria e Drejtësisë. Kjo pikë lë të kuptohet një proces “survejimi” që me urdhër të ministrit, kancelari mund të ushtrojë ndaj gjyqtarëve. Po kështu, rregullorja i heq të drejtën e hartimit të planit të punës kryetarit të gjykatës, i cili duhet ta bëjë këtë në bashkëpunim dhe duke marrë mendimin e kancelarit. Ky i fundit, sipas rregullores së re, plotëson dosje të veçanta me vlerësimet dhe treguesit e punës së gjyqtarëve dhe vendimet që ata kanë dhënë, ecurinë e proceseve duke i kontrolluar ato në çdo fazë të tyre dhe të gjitha këto informacione raportohen tek ministri i Drejtësisë çdo tre muaj. Kundërshtimi i krerëve të gjykatave për nismën e re të ministrit të Drejtësisë është shfaqur që në momentin e parë, kur vetëm gjysma prej tyre morën pjesë në takimin, ku u bë prezantimi formal i urdhëresës. Sipas togave të zeza, kjo rregullore i kthen kancelarët në “gjykatës” të gjyqtarëve. Gjysma e kryetarëve të gjykatave në shkallë vendi refuzuan të marrin pjesë në takimin e thirrur në Ministrinë e Drejtësisë në një ditë pushimi zyrtar. Nga krerët e disa gjykatave, si dhe nga burime të tjera zyrtare është mësuar se, Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të mblidhet sot rreth orës 12:00 me qëllim diskutimin e nismës së ministrit të Drejtësisë. Mbledhja jashtë radhe e KLD-së është vendosur të mbahet për shkak të reagimit të Shoqatës së Gjyqtarëve dhe vetë titullarëve të gjykatave, të cilët pohuan se rregullorja e hartuar nga Ministria e Drejtësisë zgjeron kompetencat e kancelarëve që varen nga Alibeaj, duke i bërë ata kryetarë “de fakto” të organeve të dhënies së drejtësisë. Rregullorja në fjalë, madje është konsideruar e paligjshme për shkak se është hartuar në funksion të një projektligji, i cili ende nuk është miratuar. Megjithatë ministri i Drejtësisë u tha të dielën kryetarëve të gjykatave që shkuan në takimin e thirrur prej tij se, zbatimi i rregullores fillon që nga kjo javë. Sipas burimeve zyrtare, rregullorja e re u jep superkompetenca kancelarëve të gjykatave që nga shortimi i dosjeve penale, apo kërkesave penale e civile, hartimi i projektbuxhetit të gjykatës për vitin pasardhës, firmosja dhe vulosja e dokumentacionit dhe shkresave zyrtare, që hyjnë dhe dalin në institucion, si dhe administrimi i pasurisë dhe mjeteve në dispozicion të gjykatës deri në atë pikë, saqë edhe titullari i institucionit duhet të kërkojë leje nga kancelari në rast se përdor automjetet e gjykatës gjatë kryerjes së detyrës. Kjo rregullore e konsideruar si cenim i pavarësisë së gjykatave përmes dublimit dhe zbehjes së kompetencave të kryetarëve që janë emëruar nga KLD dhe Presidenti, pritet të debatohet në mbledhjen e sotme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ky institucion ka thirrur edhe kryetarët e gjykatave për të qenë të pranishëm në mbledhje, ku do të marrë pjesë edhe ministri i Drejtësisë si anëtar i përhershëm i KLD-së. Këshilli pritet të dëgjojë mendimet dhe argumentet e krerëve të gjykatave, si dhe pikëpamjet e ministrit të Drejtësisë e më pas, të mbajë një qëndrim për këtë çështje.
Urdhri i ministrit per sekretaret
Pak muaj më parë ministri i Drejtësisë nxori një urdhëresë, sipas të cilës, sekretaret gjyqësore ndaloheshin nga zbardhja e vendimeve gjyqësore të shkruara me kaligrafi dore nga gjyqtarët. Ky ishte urdhri i parë në vazhdën e atyre që dha më vonë kreu i dikasterit të Drejtësisë, çka solli reagimin e gjykatësve. Më pas ministri nxori edhe disa urdhra të tjerë, të cilët u pritën në të njëjtën mënyrë nga gjykatësit.
Ankesa ne Gjykaten Kushtetuese
Shoqata Kombëtare e Gjykatësve Shqiptarë ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese, ku ka kërkuar shfuqizimin e dy neneve të ligjit “Për Gjyqësorin”, përsa i përket kompetencave të kancelarit të gjykatës. Ndërkohë, pak ditë më parë Ministria e Drejtësisë përgatiti një draft për administratën e gjyqësorit, që është kontestuar njëlloj nga togat e zeza, pasi mbështetet pikërisht mbi këta nene për të cilët kërkohet shfuqizimi.
Debatet per ligjin e Prokurorise
Ashtu si rregullorja e re për gjykatat, e cila forcon pushtetin e kancelarëve edhe drafti i hartuar nga Ministria e Drejtësisë për ndryshime në ligjin e Prokurorisë, ka shkaktuar një debat të gjerë dhe reagime nga organi i akuzës. Rritja e mundësive për ndërhyrje nga ministri i Drejtësisë, parashikimet për pezullimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe heqja e imunitetit të prokurorëve janë konsideruar zhvendosje nga pozicioni ku Kushtetuta e ka vendosur institucionin e akuzës.
Gjyqtarët njihen sot me rregulloren e re
TIRANE - Rregullorja e re për administratën e gjyqësorit pritet që t’iu prezantohet sot, gjatë mbledhjes së mëngjesit togave të zeza të kryeqytetit. Kjo rregullore e hartuar nga Ministria e Drejtësisë pak ditë më parë, duhet të kishte nisur zbatimin që nga e hëna e kësaj jave, por për shkak se krerët e Gjykatës së Tiranës, kryetari dhe kancelari ndodheshin të angazhuar në marrjen dorëzim të ambienteve të ish-Gjykatës së Krimeve të Rënda, të cilat do të përshtaten në institucion për seksionin penal të gjykatës së kryeqytetit. Ndërsa ditën e djeshme ishte e pamundur njohja e togave të zeza dhe administratës së gjykatës me këtë rregullore, për shkak të festës zyrtare të Bajramit të Madh. Kopje të rregullores prej rreth një jave i janë dërguar krerëve të gjykatave në vend nga ministri i Drejtësisë, i cili fundjavën e kaluar i mblodhi ata në ministri ku u mori mendimet, vërejtjet dhe sugjerimet. f.m.
Shtohen kompetencat e kancelarit
Sipas rregullores së re për administratën e gjyqësorit, kancelari i gjykatave merr të gjitha kompetencat mbi sekretaret dhe administratën e gjyqësorit, duke iu hequr togave të zeza të gjitha kompetencat që kanë pasur ndaj sekretareve. Gjykatësit kryeqytetas shprehen se, rregullorja e re e ministrit të Drejtësisë bën tërësisht indiferente marrëdhëniet e tyre me sekretaret. Sipas togave të zeza, kjo rregullore megjithëse nuk e parashikon shprehimisht, i lë kompetencë dhe autoritet kancelarit të gjykatës të nxjerrë nga procesi cilëndo sekretare gjyqësore. Ndërkohë si pasojë e zbatimit të urdhrave të ministrisë mungesa e ndonjërës prej sekretareve gjyqësore në kryeqytet ka bërë që gjyqtari, me të cilën ajo punon, të mos zhvillojë asnjë proces.