“Carmina burana”,dashuria e munguar në TKOB
“Carmina Burana”, vepra e njohur e gjermanit Karl Orff, do të çelë sezonin e ri në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. E përshtatur në një version të ri, në formën e një musical-i për skenën shqiptare, nga koreografi Arjan Sukniqi, vepra do të ngjitet në skenë në 4 tetor. Koreografi Arjan Sukniqi, i cili ka kohë që po punon me këtë vepër është shprehur për median se shfaqja do të zhvillohet në formën e një musical-i, nën një gjuhë koreografike me dominancë neoklasike, si një performancë ku janë të njehsuara baleti dhe kënga”. Individi dhe raporti i tij me fatin, i predikuar e shtjelluar edhe në 25 këngë kishtare, mban gjithë zhvillimin e veprës, e cila nuk ka një subjekt të mirëpërcaktuar. “Carmina Burana”, është historia e një të riu që është në kërkim të dashurisë. Gjatë këtij rrugëtimi, përballet me të keqen e simbolizuar përmes djallit. Lufta e përhershme mes të mirës dhe së keqes është ajo që e shtyn këtë personazh në kërkim të mundësive të tij. Rreth 150 artistë do të angazhohen në këtë produksion, të cilin Sukniqi e quan një “variant tërësisht tonin dhe të patentuar më parë”. Janë skena të shumta koreografike, të cilat do të ndryshojnë sipas këngëve, ndërkohë pjesa tjetër e teknikës do të sjellë një spektakël, që i afrohet përmasave të musical-it. Këto në TKOB, provat janë intensive dhe për koreografin pritet që “Carmina Burana”, të jetë një show për publikun shqiptar. Në këtë produksion, të konceptuar në 25 pjesë, do të angazhohen shumë solistë, ku kënga dhe baleti janë të njehsuara. Në rolet kryesore interpretojnë këngëtarët e talentuar Erlind Zeraliu dhe Erjona Gjyzeli dhe balerinët Dion Gjinika, Erald Zela, Suela Guri, Elona Nallbani, Elona Dervishi, Fatos Alla, ndërsa orkestra e TKOB do të dirigjohet nga italiani Fabio Pirona. Sipas Sukniqit, protagonistët duhet të kujdesen shumë për t’u përshtatur me gjithë pjesën e objekteve, të cilat nuk do të jenë thjesht në funksion të koreografisë, por të komunikimit tërësor. “Janë një kastë artistësh të rinj, që kërkojnë të futen në treg”, shprehet Sukniqi. Skenografia është realizuar nga Arlind Halili, e cila është tërësisht në funksion të veprës, ndërsa Dritan Lumshi do të drejtojë korin, i cili do të këndojë tekstin origjinal në latinisht.