E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush: SHBA, në rrezik financiar kritik

 

Presidenti amerikan, Xhorxh Bush e ka vlerësuar si tejet kritike gjendjen financiare të vendit pas mosmiratimit të planit në Dhomën Përfaqësuese dhe ka thënë se nëse plani përfundimisht nuk miratohet, atëherë ekonomia amerikane do të njohë krizën e vërtetë. Bush ka deklaruar se nuk dorëzohet dhe nuk pranon që të tërhiqet plani i ofruar nga administrata e tij. Ai i ka kërkuar politikanëve amerikanë, që të bien dakord për paketën e shpëtimit për sistemin financiar amerikan. Në një deklaratë të dhënë në Shtëpinë e Bardhë pas dështimit të planit të tij në Senat, presidenti Bush paralajmëroi se pasojat për ekonominë do të ishin të dhimbshme dhe afatgjatë nëse Kongresi nuk vepronte. Sipas analistëve financiarë dhe reflektimit të vlerave të aksioneve gjatë ditës së djeshme, kundërshtimi i Dhomës së Përfaqësuesve të ligjit të ri të Bushit, për të shpëtuar ekonominë amerikane ka qenë një sinjal goditës në mbarë botën. “Kemi një problem të madh për të zgjidhur dhe duhet t’i nisim sërish betejat financiare, por kësaj radhe duhet të korrim sukses”, tha Bush, i cili vazhdon të kërkojë gjetjen e një zgjidhje për krizën financiare. Bush paralajmëroi se pasojat ekonomike do të jenë “të dhimbshme dhe afatgjata”, nëse plani nuk miratohet. Propozimi prej 700 miliardë dollarësh u hodh poshtë nga Dhoma e Përfaqësuesve, duke shkaktuar rënien drastike të çmimit të aksioneve amerikane. Duke folur para hapjes së bursës dje, Bush tha se vendi ndodhet në “një situatë urgjente dhe pasojat rëndohen çdo ditë që kalon pa marrë masa”.  Ai tha se zyrtarët e lartë po punojnë me Kongresin për të hartuar një plan që të mund të miratohet. Kur u hap bursa, çmimet e aksioneve u rritën mbi dy për qind në minutat e para. Indekset kryesore evropiane kishin rezultate të përziera, pas një rënieje në mëngjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›