E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet për trukim trajneri shqiptar në Maltë

 

Jetmir Halilaj

Trajneri shqiptar i futbollit, Ilir Pelinku, është arrestuar nga policia malteze, pasi mbi të rëndon akuza për tentim korruptimi. Shqiptari akuzohet nga Federata e Futbollit të Maltës se në bashkëpunim me arbitrin e njohur maltez, Xhozef Atard, kanë tentuar të manipulojnë rezultatin e ndeshjes së turit të parë të Kupës UEFA, midis ekipit nga Malta, Marsakslok dhe atij kroat, Slaven Belupo. Lajmin e kanë bërë të ditur dje agjencitë botërore të lajmeve. Edhe gjyqtari Atard raportohet se është arrestuar.
Pelinku, trajner i ekipit Lija Atletik, që militon në divizionin e dytë maltez, ka tentuar të korruptojë portierin e ekipit Marsaxlokk, për “të mbyllur njërin sy”. Mirëpo portieri, identiteti i të cilit nuk është zbuluar, menjëherë ka denoncuar rastin në polici. “Jam shokuar kur kam dëgjuar për këtë tentativë. Më keq më ka ardhur kur kam dëgjuar se kush ka tentuar ta trukojë ndeshjen. Krimi bëhet edhe më i rëndë, kur kihet parasysh se ajo ndeshje ishte e UEFA-s”, ka thënë presidenti i Federatës së Futbollit të Maltës, Xho Mifsud, të martën, në një konferencë për mediat e thirrur për këtë çështje. Pelinku dhe Atard tentuan të fiksojnë rezultatin e ndeshjes së kthimit, atë të zhvilluar në Maltë, më 31 korrik. Kjo ndeshje, sikurse edhe ajo në Kroaci, përfundoi me shifrat 4-0. “Gjatë kësaj kohe nuk kam mundur të zbuloj asgjë për të mos penguar hetimet. Por, tani mund t’i zbuloj emrat e të dyshuarve, të cilët janë trajneri shqiptar që punon në shtetin tonë tashmë prej disa vitesh, Ilir Pelinku, dhe arbitri Xho Atard, - është shprehur kreu i futbollit maltez. - Policia më ka njoftuar se këta kanë tentuar të paracaktojnë rezultatin e asaj ndeshjeje, por nuk ia kanë dalë mbanë falë pastërtisë dhe korrektësisë së portierit, të cilit i kanë bërë ofertën e ndyrë. Këtu duhet të lavdëroj futbollistët e Marsakslokut, të cilët kanë zbuluar menjëherë të dyshuarit dhe kanë refuzuar ofertën e tyre. Kjo dëshmon se në shtetin tonë futbollistët janë shumë të drejtë”. Mifsud ka qenë pak javë më parë në Tiranë, në ndeshjen e luajtur më 10 shtator në stadiumin “Qemal Stafa”, që Shqipëria e fitoi me rezultatin 3-0, takim i vlefshëm për eliminatoret e Botërorit 2010. Të arrestuarit ndodhen në paraburgim dhe së shpejti pritet të përballen me drejtësinë e shtetit ishullor. Sipas kreut të Federatës malteze, Mifsud, arbitri Atard është i pezulluar nga çdo aktivitet, si për ato të vendit, ashtu edhe për ato të UEFA-s. Pelinku ka nëntë vjet që jeton në Maltë. Para se të bëhej trajner, ai është aktivizuar për disa sezone në klubin ku edhe është trajner. Nëse akuzat ndaj 40-vjeçarit Pelinku dhe gjyqtarit Atard vërtetohen, atëherë të dy rrezikojnë gjoba të rënda financiare e deri në pesë vjet burg. Kjo është hera e parë që një trajner shqiptar arrestohet për tentativë për trukim të ndeshjes.

Duro: Ky gjyqtar na mohoi dy penallti
Shpëtim Duro, ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, irritohet menjëherë sapo i përmend emrin e gjyqtarit maltez Xhozef Atard. Madje ende pa mësuar mirë faktin që arbitri është arrestuar dje nga policia malteze, Duro nxiton të thotë: “Ai gjyqtar na ka mohuar dy penallti të pastra në ndeshjen kundër Sllovenisë (0-0) që u luajt në Shkodër”. Ai e mban mend mjaft mirë atë takim, sepse e ka drejtuar bashkë me asistentin tjetër të Bariçit, Zlavko Kovaçiç. “Bariç nuk ka qenë në atë ndeshje, për shkak të problemeve shëndetësore, kështu që drejtuam unë më Zlavkon. E mbaj mend shumë mirë atë takim, sepse kemi pasur përgjegjësinë kryesore për formacionin që hodhëm në fushë dhe për mënyrën se si luajti skuadra. Në dy raste nuk iu besova syve, sepse një gjyqtar normal do të kishte akorduar patjetër 11-metërsh, por Atardi nuk e bëri një gjë të tillë dhe na penalizmi shumë”, është shprehur Duro për “Panorama”. Ish-tekniku i përfaqësueses rrëfen më pas edhe një prapaskenë: “Pas ndeshjes isha shumë i nervozuar dhe për të konfirmuar dyshimet e mia, pyeta edhe gjyqtarin Sokol Jareci, i cili ishte shoqëruesi i arbitrave. Edhe ai më tha se një nga rastet që unë dyshoja ishte penallti e pastër. Më erdhi keq dhe inat njëkohësisht, sepse arbitri ndikoi në rezultatin përfundimtar”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›