E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thellohet hendeku Cërvenkovski Gruevski

 

Presidenti maqedonas, Branko Cërvenkovski ka pranuar publikisht se mes tij dhe kryeministrit Nikolla Gruevski ka dallime të mëdha për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Greqinë për emrin kushtetues të Maqedonisë. Cërvenkovski i ka bërë komentet pas takimit të tij me kryeministrin Gruevski, takim që presidenti e ka vlerësuar si të dështuar. Sipas presidentit Cërvenkovski, kryeministri priret t’i minojë negociatat me Greqinë fqinje. “Më vjen keq që më duhet të them publikisht se kryeministri po ballafaqohet me një lloj ndeshjeje personale politike, edhe kur bëhet fjalë për një nga çështjet kryesore për ardhmërinë e shtetit tonë. Ai nuk sillet si kryeministër i vërtetë dhe si person i përgjegjshëm për situatat në vend, përkundrazi ai vetvetes ia ka caktuar rolin e opozitës dhe tenton që t’i shmanget përgjegjësisë për rrjedhën e gjithë procesit”, tha presidenti Cërvenkovski. Kabineti i kryeministrit i ka cilësuar vlerësimet e presidentit si akuza ofenduese për qëllime të ndërtimit të karrierës politike. Ndërsa Gruevski nuk deshi ta komentojë përmbajtjen e bisedimeve me presidentin.      (BBC)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›