Tadiç: Kosova, të ndahet mes shqiptarëve dhe serbëve
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç ka bërë një nga deklaratat më të pritshme nga pala serbe, por më refuzuese nga Kosova, kur tha dje se do të shqyrtojë mundësinë e ndarjes së Kosovës mes shqiptarëve dhe serbëve. Gjatë një interviste një natë më parë në televizion, Tadiç u shpreh se do të shikonte mundësinë e ndarjes së Kosovës vetëm si zgjidhjen e fundit, nëse Serbia nuk do të mund ta mbajë Kosovën si pjesë e saj. Sipas liderit serb, çdo zgjidhje do të ishte më e mirë, sesa një situatë, kur njëra palë humbet gjithçka. Ndarja e Kosovës ka qenë një nga opsionet më të refuzuara që të në fillim të shqyrtimit të statusit nga ndërkombëtarët dhe palët e përfshira në proces. Por kosovarët i trembeshin një zgjidhjeje të tillë, pasi pala serbe ka dhënë shenja që në fillim se kishte një plan të fshehur. Ka pasur raportime se zyrtarët serbë kanë blerë toka të shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës dhe vazhdojnë të veprojnë në veri me struktura paralele, të cilat edhe pse janë vlerësuar si ilegale nga UNMIK, vazhdojnë të kryejnë funksion të plotë në etninë serbe. Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt dhe është njohur menjëherë nga Shtetet e Bashkuara dhe 46 vende të tjera, ndërsa Serbia e mbështetur nga Rusia, vazhdon ta konsiderojë Kosovën si pjesë të territorit të saj. Ndërkohë autoritetet në Prishtinë kanë ripërsëritur qëndrimin e tyre se Kosova është një tërësi territoriale dhe ndarja nuk është opsion. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj ka deklaruar për BBC, se çështja e statusit të Kosovës është një çështje e mbyllur. “Kosova tashmë është shtet sovran dhe i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht me të gjithë territorin e saj”, tha ai. Zëvendëskryeministri i Kosovës reagoi pas deklaratës së presidentit Tadiç mbi gatishmërinë për të menduar edhe për opsionin e ndarjes së Kosovës në vija etnike. “Duket se Tadiç dhe udhëheqja politike e Serbisë po përpiqen që në vazhdimësi ta mbajnë të hapur çështjen e Kosovës, dhe kjo për konsumin e tyre të brendshëm. Çështjen e ndarjes së Kosovës, Serbia mund ta hapë vetëm me vetveten, kjo çështje nuk mund të hapet më, përderisa Kosovën e kanë njohur një numër i madh shtetesh dhe ky proces i njohjes po vazhdon ende”, tha ai.
UNMIK në veri
Administrata e OKB-së në Kosovë ka paralajmëruar se nga e premtja, gjykata në veri të Mitrovicës do të nisë punën me kapacitete të limituara. Zëvendësshefi i UNMIK-ut, David Harland, tha se funksionalizimi i plotë i gjykatave në veri pritet të bëhet deri në fund të vitit. Dy gjykatës dhe dy prokurorë ndërkombëtarë do të nisin punën në këtë gjykatë, e cila që nga 17 marsi ishte mbyllur. “Në dhjetor ne do të fillojmë me fazën e dytë, kur do të sjellim në Mitrovicë gjykatës e prokurorë kosovarë, si nga radhët e shqiptarëve, ashtu edhe të serbëve”, tha Harland, duke shpresuar se deri në fund të vitit, gjykatat në veri do të jenë plotësisht funksionale.