E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj: Nuk ka çmim që na bëhet pengesë për ndërtimin e parlamentit të ri

Deputetët e mazhorancës kanë miratuar me nxitim edhe projektligjin që i hap rrugë shembjes së Piramidës para se të mbyllin këtë sesion parlamentar.  Në vend të saj do të ngrihet godina e Kuvendit të ri të Shqipërisë, një projekt që pa nisur akoma ka një shifër rreth 110 milionë euro, të cilat qeveria shqiptare po negocion për ti marrë kredi në një kohë krize kur i është dashur të përgjysmojë buxhetin. Por deputetët e mazhorancës në komisionin e Ligjeve që i dhanë dritën jeshile projektit janë treguar krejtësisht indiferent ndaj kostos, ndërsa kundërshtimet e opozitës munguan për shkak të vazhdimit të bojkotit të tyre, që pritet të ndërpritet në shtator. Sipas draftit të miratuar mënjanohet KRT-ja e bashkisë dhe mandatohet ekskluzivisht Këshilli i Rregullimit të Territorit në republikën e Shqipërisë , të japë lejet për sheshin dhe ndërtimin.  Relatori i projektligjit ishte deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili tha se “për shkak edhe të një lloj deviacioni që Kuvendi mund t’ia tolerojë vetes, nuk do të paguajë asnjë taksë përkatëse, ndërsa ajo çfarë unë mund t’ju them në emër personal,  se nuk ka çmim që duhet të na bëhet pengesë për ndërtimin e kompleksit parlamentar”, tha Alibeaj.  Më tej ai duket sqaruar projekt-ligjin tha se janë përcaktuar të depozitohen në KRRTRSH, bazuar dhe në harmoni dhe respekt të plotë dhe të vendimit numër 29 të vitit 2006 të Gjykatës Kushtetuese. KRRTRSH -ja jo vetëm miraton studime urbanistike rajonale, por ka të drejtë të përcaktojë edhe lejen e sheshit të ndërtimit apo lejen e ndërtimit për objekte me rëndësi të veçantë, saktësisht dhe individualisht të përcaktuara.  Inspektorati Ndërtimor Kombëtar Urbanistik do të shembë Piramidën, por në ligj nuk përcaktohet një kohë kur do ta bëjë këtë. Firmat që do kryejnë punimet do të zgjidhen me tender elektronik.  Nisur edhe nga nevoja që do të duhet së bashku me ndërtimin e kompleksit, por edhe të eleminojmë një lloj legjende urbane, një lloj psikoze që pozita gjeografike, aty ku do të ndërtohet kompleksi, mbart me vete, unë besoj se nuk ka çmim i cili do të na duhet të bëhet pengesë për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar-  tha Alibeaj. Godina e re do të ndërtohet mbi piramidën dhe do të jetë gati në 28 nëntor 2012.  Ndërkohë nuk dihet ende se si do të reagojë kryetari i ri i Bashkisë, Lulzim Basha, i cili dhe pse votoi pro shembjes së Piramidës në Kuvend, në fushatë u shpreh se është kundër shembjes së saj. Një tjetër skandal që ka përfshirë këtë proces është përzgjedhja e projektit fitues, i cili u bë publik në një gazetë austriake para se juria e zgjedhur nga Kuvendi shqiptar të jepte emrin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›