E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj: “Nuk tërhiqem nga 7 projektligjet”

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka vendosur të mos lëshojë asnjë fije në të shtatë projektligjet për Reformën në Drejtësi. Pavarësisht kundërshtimit të gjyqtarëve, prokurorëve, noterëve dhe avokatëve, kreu i Drejtësisë është i vendosur të ruajë të paprekura të gjitha projektligjet. Madje, ai është shprehur, gjatë një takimi ku ishte i pranishëm dhe ambasadori i Komisionit Evropian në Shqipëri, se pakënaqësitë e palëve do të kalojnë me kohën. Ministri i Drejtësisë ishte dje i ftuar në fillimin e një projekti binjakëzimi për proceset gjyqësore për çështjet tregtare. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan.
Qëndrimi
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, deklaroi publikisht se nuk do të pranojë kërkesën e gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve për të tërhequr 7 projektligjet për Reformën në Drejtësi. I ftuar në një program të përbashkët me KE, Alibeaj theksoi: “Pakënaqësitë do të kalojnë me kohën. Një reformë e suksesshme në Drejtësi ka kosto dhe sakrifica”. Ndërsa ambasadori i KE-së, Helmut Lohan, nuk komentoi përplasjen e fundit mes ekzekutivit dhe sistemit të drejtësisë, por kujton dy parimet ku duhet të mbështetet drejtësia. Kreu i dikasterit të Drejtësisë argumentoi se për 7 projektligjet, gjatë gjithë verës, pranverës dhe vjeshtës ka pasur konsultime me të gjitha grupet e interesit dhe se “pakënaqësitë do të kalojnë me kohën, por duhet pasur parasysh fakti se një reformë e suksesshme në drejtësi ka kosto dhe sakrifica, të cilat duhet të mbahen mbi shpatulla nga disa individë apo institucione”. Ekspertët që po punojnë për këtë projekt, rekomandojnë përshtatjen e Kodit Civil shqiptar sipas rregullave të BE-së lidhur me agjentët tregtarë, pagesat me vonesë dhe mbrojtjen e konsumatorit, përmirësimin e specializimit të gjykatësve në çështjet tregtare, përqendrimin e çështjeve tregtare në më pak gjykata rrethesh, me qëllim rritjen e eficencës dhe monitorimit të kohëzgjatjes së zhvillimeve gjyqësore. Shefi i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, ambasadori Helmut Lohan, tha se përmirësimi i punës së gjyqësorit mbi çështjet tregtare do të sjellë rritjen e besimit të publikut dhe komunitetit të biznesit. Kjo, sipas tij, "do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e sektorit privat dhe në veçanti, investimeve të huaja, pasi investitorët do të mbështeten mbi zbatimin e duhur të ligjit dhe një shkallë parashikueshmërie në bizneset e tyre". Duke iu referuar Kushtetutës dhe ligjit për organizimin e gjyqësorit, ministri Alibeaj tha: “Politikisht dhe juridikisht nuk mund të ekzistojë imuniteti për prokurorë dhe gjyqtarë. Vetëm Kuvendi duhet të marrë nisma për të kufizuar, hequr apo jo imunitetin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve”.
Komisioneri
Nga ana e tij, ambasadori i Komisionit Evropian nuk pranoi të komentojë për gazetarët përplasjen e fundit mes ekzekutivit dhe sistemit të drejtësisë, duke këshilluar gazetarët që të presin raportin që do të publikohet nga KE më 5 nëntor. Gjithsesi, ambasadori Lohan theksoi se “Sistemi i Drejtësisë funksionon në bazë të dy parimeve: në përgjegjshmërinë përpara ligjit dhe në pavarësinë e institucioneve të drejtësisë nga ana e ndikimeve politike. Ne shqetësohemi në rast se ky ekuilibër ndërmjet përgjegjësisë dhe pavarësisë do të prishet”.

Alibeaj: “Ligjet për drejtësinë do të bëhen”

“Projektligjet e hartuara për Reformën në Drejtësi do të mbeten pa ndryshime, pasi për to ka pasur konsultim të gjerë”, - tha Alibeaj, duke përmendur për këtë edhe kohën që është nevojitur deri në mbërritjen e drafteve konkrete. Sipas tij, një reformë e suksesshme, si ajo që po ndërmerret në sistemin tonë të drejtësisë ka kosto dhe sakrifica, që duhet të mbahen nga institucione të ndryshme. Pyetur për kontestimet e shumta, që kanë shoqëruar projektligjet, deri në kërcënime me bojkot të avokatëve në punën e tyre, Alibeaj ka sqaruar se pavarësisht kësaj, nuk ka marrë propozime konkrete.

Lohan: “Pavarësia e gjyqësorit, e rëndësishme për ne”

“Ne u kushtojmë mjaft rëndësi marrëdhënieve mes institucioneve të gjyqësorit dhe pavarësia e tyre është e rëndësishme”, - tha gjatë një takimi dje, Helmut Lohan, shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë. "Përmirësimi i Sistemit Gjyqësor për çështjet Tregtare në Shqipëri" është një projekt binjakëzimi mes Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë dhe të Austrisë, që rekomandon specializimin e gjyqtarëve dhe Gjykatave, të cilët merren me të drejtën tregtare në vendin tonë. Projekti i financuar nga Bashkimi Evropian, me vlerë 1 milion euro, u prezantua në Ministrinë e Drejtësisë, në prani të ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, shefit të Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmuth Lohan, etj.

Ky lajm është publikuar: 29/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›