E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet tetë vjet pas vrasjes, Ndue Gjeloshaj

Autori i Lajmit: red.
Arrestohet pas tetë vitesh kërkim, për vrasje. Ndue Gjelosha, 42 vjeç, nga Tropoja, është vënë në pranga në aeroportin e Rinasit, pasi po kthehej nga Gjermania, ku kishte vite që kishte emigruar. Lajmi është bërë i ditur një ditë më parë, nga Policia e Tiranës, e cila deklaroi se i ndaluari ishte në kërkim për vrasjen e Kujtim Karajt, të ndodhur në një hotel në kryeqytet. “Në sajë të informacioneve të grumbulluara nga strukturat e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Rinas është bërë e mundur kapja e Ndue Gjeloshajt, 42 vjeç, lindur në Bajram Curri e banues në Tiranë, i shpallur në kërkim për veprën penale të vrasjes”, - tha dje policia e kryeqytetit. Gjeloshaj, pasi kishte bërë vrasjen, ishte larguar nga Shqipëria për t i shpëtuar arrestimit. Por tetë vjet më pas, drejtësia nuk e kishte harruar dhe ai është vënë në pranga në momentin që sapo kishte shkelur tokën shqiptare. Arrestimi i 42-vjeçarit Gjeloshaj, nga Tropoja është bërë pasi akuzohet se më datë 5 prill të vitit 2000, ka vrarë Kujtim Karajn. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e një hoteli në kryeqytet, për shkaqe banale. Në vendimin e dhënë për masën e sigurisë, nga Gjykata e Lartë, në vitin 2006, gjatë argumentimit është bërë e ditur se Gjeloshaj e ka kryer vrasjen në një moment të tronditjes psikike të momentit, pasi nuk e ka kontrolluar veten. Ndërkohë që më parë, në datën 18 tetor 2006, Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, ndaj 42-vjeçarit.
Ky lajm është publikuar: 29/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›