E Diel, 1 Nëntor 2026

Çerdhja 24, krevatat e bebeve, pa “vulën” e bashkisë

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Vëzhgimi i “Ballkan” në dy nga çerdhet me kushte të ndryshme: njëra e varfër dhe tjetra e pasur

Për çdo sugjerim, ide, problem, apo debat, na shkruani në adresën e mësipërme.

Çerdhja 24: Me emër të bukur “4 stinët”, por me një kopsht të shkretë përreth ku stinët nuk janë në gjendje të shprehen. Lulet, pemët, pa folur pastaj për këndin e lodrave, nuk kanë asnjë gjurmë në këtë rrethim. Pamja e jashtme e çerdhes tregon se ajo ka nevojë për dorën e bashkisë. Muret dhe çatia presin të rikonstruktohen. Sidoqoftë, kur hyn brenda, pamja e çerdhes është më e pranueshme. Duart e edukatoreve janë munduar të mbushin zbrazëtinë e kësaj strehe vocërrakësh, që nuk ta shlyen dot imazhin që lëviz në një spektër realitetesh nga varfëria deri në modesti. Në këtë ndërtesë dy-katëshe që ndodhet në një nga lagjjet jo larg 21-Dhjetorit për momentin janë strehuar dy çerdhe: çerdhja e “shtëpisë” dhe çerdhja 57 e zhvendosur nga rruga “Irfan Tomini” për shkak se godina gjendet në rikonstruksion. Megjithatë, na bie në sy se nuk ka mungesë ambientesh. Ndoshta nuk ka frekuentim të mirë, mendojmë, por edukatorja “vendase” na thotë se ka 3-4 çerdhe rreth e rrotull dhe se nga ana tjetër, ka edhe prindër që nuk i sjellin fëmijët pa mbushur 1 vjeç. Ndërsa drejtoresha “jabanxhie” na flet për një situatë tjetër: Në lagjjen ku ndodhet çerdhja e saj me nr.57, nuk ka çerdhe të tjera. Një mama që sapo vjen të marrë vajzën e saj, pohon se e bën këtë rrugë përditë që nga Teknologjikja këtu, pasi nuk ka çerdhe më të afërt. (Më vonë do të na tregonin edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Çerdheve, se Tirana ka mungesa për çerdhe dhe nuk arrin t i përmbushë kërkesat e të gjithë prindërve).
Le të kthehemi tek kopshti “Katër stinët”. Gjëja më e mirë e kopshtit ishte parketi i drurit që ka mundësuar bashkia pak vite më parë (duam të kujtojmë se në kopshte, parketet e drurit janë një luks, ndërsa çerdhet e rikonstruktuara janë të gjitha me parkete druri, sikurse na thonë). Gjithashtu, disa rafte, tavolina e karrige të reja nuk mungonin. Bashkia kishte siguruar frigoriferin dhe sobën për gatimin dhe ruajtjen në kushte të mira të ushqimit të të vegjëlve 0.5-3 vjeç, mirëpo kushtet e kuzhinës nuk e përmbushin siç duhet fjalën “siguri”. Bulieri i ndryshkur kullonte dhe kanatat e kuzhinës (dollapit) të shpartalluara, tregonin shenjat e lagështisë që nuk mungonin edhe në ndonjë kënd muri (por për fat nuk kishin hapur hartat e tyre në dhomat e gjumit të fëmijëve).
Krizë për lodra
Tavanet e ulëta të kopshtit, lodrat e varfra, mjetet e pakta didaktike, janë disa nga gjërat që na ranë në sy. Edukatoret na thonë se bashkia nuk ka sjellë asnjëherë furnizim me lodra dhe se këto që shohim, i kanë sjellë vetë prindërit e fëmijëve. “Nuk duhen vetëm pellushe, duhen lodra të përshtatshme për zhvillimin e fëmijëve”, thonë ato. (Këtë ankesë e kemi dëgjuar në disa kopshte). Ndërkohë, në Qendrën Ekonomike për Zhvillim dhe Edukim të Fëmijëve, në të cilën u interesuam në tërësi për gjendjen e furnizimit të çerdheve nuk na e thanë se çerdhet kanë probleme në pajisjen me lodra. Përkundrazi, deklaruan të kundërtën: që janë të gjitha të pajisura me lodrat e përshtatshme dhe me fonde të bashkisë. Na thanë gjithashtu se çerdhet dhe kopshtet furnizohen vetëm nga bashkia dhe se kontributet në lekë të prindërve nuk pranohen. Por në çerdhen 24, në sallën ku ndodheshin krevatat e drunjtë të latantëve, edukatoret na thanë njëzëri se ato ishin blerë me kontributet e prindërve. “Kemi përballuar mjaft nevoja në saj të kontributeve të prindërve”, tregojnë edukatoret.
Dhoma ku flenë latantët (bebet 0-1 vjeç) është e bollshme, por në tjetrën me krevata portativë (të njëjtët krevata gjenden edhe në disa nga dhomat e gjumit të kopshteve), janë shumë fëmijë për një ambient aq të ngushtë. Për më tepër që dritaret nuk mund të qëndrojnë të hapura. Për këtë çerdhe, nëndrejtoresha e Qendrës Ekonomike, Lumturi Xhezo, tha se është për t u rikonstruktuar, por nuk dha afate të afërta. Ndoshta do të duhet që edhe këta breza fëmijësh të rriten në një çerdhe që nuk është e denjë për ta.

Ky lajm është publikuar: 29/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›