E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mazhoranca po degradon Reformën në Drejtësi

Autori i Lajmit: red.
Kryetari i Partisë Socialdemorkate, Skënder Gjinushi, akuzon mazhorancën se po çon drej degradimit Reformën në Drejtësi. Sipas tij, për 4 vjet me radhë Berisha, në vend të reformimit të drejtësisë, zgjodhi goditjen dhe spastrimin e institucioneve kryesore të saj. “Në vend të paraqitjes të një pakete ligjore me kohë dhe në kohë, ai zgjodhi paketën e spastrimeve duke tentuar pushtimin e Presidencës, Prokurorisë së Përgjithshme, KLD-së, Gjykatës Kushtetuese e Gjykatës së Lartë”, - tha Gjinushi. Ai shtoi se të gjithë janë bindur se kjo qeveri nuk bashkëpunon me institucionet për të luftuar krimin, por bashkëpunon me krimin për të luftuar institucionet; nuk bashkëpunon me dëshmitarët për të zbardhur trafiqet, por bashkëpunon me trafikantët për të zhdukur dëshmitarët. Madje, sipas tij, edhe insistimi i saj për kufizim imunitetesh nuk ka për qëllim luftën ndaj korrupsionit, por ka për qëllim përdorimin si mjet presioni e për luftë selektive. E njëjta situate vazhdon edhe sot, pas marrjes së ftesës në NATO. Gjinushi theksoi se Berisha nuk mund të fshihet pas NATO-s në një kohë që SHBA është denoncuesja kryesore e antireformave të kësaj qeverie. “Ne si PSD shprehim publikisht vlerësimin tonë se kjo Qeveri ka dështuar përfundimisht në çdo tentativë për të bërë një reformë reale në drejtësi. Pasi të gjitha aferat e mëdha, si: çështja “Fazliç”, Gërdeci, rruga Durrës-Kukës; Remzi Hoxha, në të gjitha këto është implikuar drejtpërdrejt Qeveria dhe Kryeministri”, - tha ai.

Ky lajm është publikuar: 29/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›