E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj: Përplasja me gjyqësorin, një sforco konstante

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, e konsideron sforco konstante përplasjen e tij me gjyqësorin. Në një intervistë për gazetën "Shqip", dhënë gjatë një vizite në qytetin e Fierit, ministri Alibeaj thotë se rëndësia e reformave ka bërë që "lufta" mes tij dhe përfaqësuesve të institucioneve të pavarura të ashpërsohet, por shpreson se "shpirtrat e rebeluar do të ulen e do të gjejnë paqen". Ndërsa në lidhje me ristrukturimin e Partisë Demokratike në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare, ministri thotë se nuk bëhet fjalë për zëvendësimin e "të vjetrës" me "të renë", por një ristrukturim që u përgjigjet kushteve të reja, të krijuara nga ndryshimi i sistemit elektoral.

Zoti ministër, ekziston një përplasje mes jush dhe gjyqësorit. A parashikoni një zgjidhje të këtij "rebelimi" të dyanshëm, si dhe një afat përfundimtar për zgjidhjen e tij?

Nuk bëhet fjalë për rebelim, aq më shumë nga ana ime. Ka sforco konstante të deklaruara e stërdeklaruara, në podiume e mediume të ndryshme. Të ndryshosh një mentalitet dhe një mënyrë të sjelluri mund të jetë sjellje e pakëndshme për një pjesë njerëzish, të cilët nuk shprehen të gatshëm që të ndryshojnë një lloj komoditeti të tyre jo shumë të këndshëm për qytetarët. Unë besoj se ka një lloj lakmusi të cilësisë së reformës. Në qoftë se këto reforma ligjore që nesër do të aplikohen e implementohen nga operatorët e drejtësisë arrijnë të sjellin një përmirësim të sjelljes së administratës së institucioneve të pavarura, por edhe të administratës ekzekutive karshi qytetarit, besoj se kjo do të quhet betejë e fituar. Në qoftë se ju e quani rebelim, rebelimi ka gjithmonë një zgjidhje: arsyeja dhe ligji. Në qoftë se i referohemi kësaj reforme që po e bëjmë në bazë të arsyes, në bazë të nevojave, e kemi të qartë ku duhet të shkojmë e arrijmë. Besoj se të gjithë shpirtrat e rebeluar duhet të ulen e të gjejnë paqen.

Ju keni premtuar, kur keni ardhur në krye të Ministrisë së Drejtësisë, se një proces gjyqësor do të mbarojë në kohë rekord, deri edhe brenda 30 ditësh. Kur do të fillojë të zbatohet premtimi juaj?

Kjo është një arsye e fortë për t‘u rebeluar. Një nga projektligjet më të rëndësishme që përfshihet në reformën e drejtësisë, është edhe ngritja e institucionit të ri, që po e quaj gjykatën administrative, e quajtur ndryshe gjykata e biznesit. Në qoftë se ka një kategori qytetarësh, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj zvarritjes dhe ndaj përçudnimit që i bëhet karakterit të individit është biznesi. E ndien jo si qytetar, por se ka investuar paratë e veta. Kur investon kapitalet e veta duhet të ketë edhe garanci. Garancia duhet të jetë efektive, e drejtë dhe e dhënë në kohë. Ky gjykim do të jetë 30-ditor, do të jetë transparent, i drejtë, në kohë, efektiv dhe profesional. Me kalimin e ligjit në Parlament, kjo gjë do të arrihet. Besoj se opozita është aq e ndjeshme sa të kuptojë që nuk flitet për kredo politike, por për një reformë të munguar në këtë vend, e nevojshme dhe e ndikuar nga partnerët.

Si e komentoni ristrukturimin që po bën PD-ja në shkallë vendi, veçanërisht për qendrën në Tiranë, por edhe në bazë?

Është ristrukturim fare i thjeshtë. Ju e dini që sistemi i ri zgjedhor ndryshon nga ai i vjetri. Ndryshon jo vetëm në logjikën e përzgjedhjeve të kandidaturave, por edhe në logjikën e mobilizimit të forcave administrative të një partie. Ristrukturimi nuk ka të bëjë me eliminimin e një pjese të vjetër, për të sjellë një pjesë të re. Është thjeshtë mobilizim njerëzish. Identifikim i njerëzve që ndiejnë nevojën për t‘i dhënë kësaj mazhorance. Nuk do të ketë asnjë lloj ndryshimi ere, apo fryme politike në këtë mes.

Viti 2009 po vjen dhe së bashku me të edhe zgjedhjet. Do të keni kohën e mjaftueshme për të realizuar ambiciet tuaja që i bashkëngjiten padyshim platformës politike ku dhe aderoni?

Ambiciet e mia nuk janë personale, por janë ambiciet e qeverisë ku unë bëj pjesë. Qeveria që në vitin 2005 ka parashikuar dhe u është betuar shqiptarëve që të bëjë reforma, të cilat kanë gjithmonë një start, janë të vështira, por që duan kohën e tyre. Kjo mazhorancë deri në vitin 2009, apo 2010 do të jetë flamurtarja e të gjitha reformave. Koha nuk është një limit për të vendosur kufij të tillë, të cilat nuk mund të matin dimensionin e reformave.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›