E Diel, 1 Nëntor 2026

Pollo-demokrat pritet me protesta në Berat

Shkrirja e Partisë Demokrate të Reformuar me Partinë Demokratike ka hasur në kundërshtimin e simpatizantëve të PD-së në qytetin e Beratit. Vendosja e Genc Pollos si kryetar komisioni në grupin e punës për organizimin e strukturave të PD-së në Berat, është bërë shkak i një sërë debatesh dhe kundërshtimesh nga ana e anëtarëve dhe simpatizantëve të degës së PD-së në këtë qytet. Zëvendëskryeministri Genc Pollo ka qenë paraditen e djeshme në qytetin e Beratit, ku ka zhvilluar një takim me drejtuesit e degës së PD-së në këtë qytet. Takimi mësohet se ka pasur si qëllim prezantimin e Pollos në krye të grupit të punës për organizimin e strukturave të kësaj dege. Ky takim, i zhvilluar në ambientet e selisë blu, është shoqëruar me debate të ashpra, ku nuk kanë munguar edhe fyerjet mes anëtarëve e simpatizantëve. Këta të fundit mësohet se jo vetëm që nuk e kanë pranuar Pollon si kryetar të grupit të punës, por kanë kundërshtuar shkrirjen e dy partive të djathta. Sapo është prezantuar emri i Genc Pollos në krye të grupit të punës, anëtarët dhe simpatizantët e kësaj dege e kanë kundërshtuar hapur, duke e cilësuar si të padrejtë këtë emërim. Kjo ka bërë që situata të degradojë në një konflikt të vërtetë, aq sa është urdhëruar nga drejtuesit e degës largimi i medias nga takimi dhe simpatizantëve, duke lejuar vetëm anëtarët e kryesisë. Kjo gjë ka shkaktuar reagime te këta të fundit, të cilët kanë nisur të shfaqin hapur pakënaqësitë e tyre ndaj Pollos. Sipas tyre, shkrirja e dy partive të djathta nuk do të gjejë vend në Berat, madje është kundërshtuar edhe shkrirja në qendër. Imazhi jo i mirë, sipas tyre, i PDR-së në Berat është bërë shkak i kontestimit. Të mbledhur para selisë, simpatizantë e anëtarë të PD-së kanë ngritur zërin në formë proteste kundër Pollos. Ata nuk kanë ngurruar të tregojnë konfliktet, madje dhe goditjet e Pollos e klaneve të tij ndaj anëtarëve të PD-së në Berat. Sipas tyre, PDR-ja me klanet e saj në Berat ka grumbulluar rreth vetes njerëzit më të paaftë e negativë. "Ka mbledhur të gjithë mbeturinat e PD-së së Beratit", tha një nga njerëzit që protestonin përpara selisë së PD-së së Beratit. Gjatë gjithë periudhës së ekzistencës së saj, dega e PDR-së në Berat ka qenë në konflikt me degën e PD-së. Të gjithë këta simpatizantë dhe anëtarë të PD-së kanë kërkuar njëzëri takim, madje dhe sqarim me Kryeministrin Sali Berisha. Por, me gjithë kundërshtitë e shfaqura, takimi ka përfunduar. Në mbledhjen me dyer të mbyllura, Pollo ka folur në detaje për të gjitha detyrat që do t‘i dalin grupit të punës për shkrirjen e dy partive që ai drejton. Pollo ka kërkuar dhe krijimin e një harmonie mes strukturave të dy partive të shkrira në një të vetme, pasi kështu do t‘i shërbehet më shumë e më mirë procesit zgjedhor, që nuk do të jetë edhe aq i lehtë për t‘u fituar, ndonëse ky koalicion ka ditur të drejtojë dhe të çojë vendin në një sërë arritjesh. Më pas, si zëvendëskryeministër, Pollo ka marrë pjesë në një takim të organizuar me drejtorët e drejtorive, që kanë vartësi vertikale nga qeveria në Prefekturën e Beratit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›