Rishikimi i taksave, 12 miliardë lekë më pak në buxhet
Efekti negativ në buxhetin e shtetit për vitin 2009 parashikohet të jetë rreth 6 miliardë lekë. Si rrjedhojë e rishikimit të disa taksave, kryesisht nacionale si dhe taksa për kontributet etj., në arkën e shtetit do të mungojnë disa miliarda lekë, por që priten të rifitohen nga politika që do të ndiqet në drejtim të zgjerimit të taksapaguesve. Kështu, nga ulja me 5 për qind e kontributeve për punëmarrësin, qeveria do të humbasë nga të ardhurat në buxhet një shumë që shkon në 4 miliardë lekë. Kjo shumë do t‘i mungojë buxhetit të sigurimeve shoqërore, të cilat për vitin 2009, kanë planifikuar një fond rreth 50 miliardë lekë. Megjithatë, vendimet e fundit për vlerësimin tatimor në bazë të referencave mbi numrin e punonjësve, do të shërbejë si mjet efikas për rritjen e të ardhurave. Tjetër humbje për buxhetin e shtetit do të jenë ulja e taksave doganore në kuadër të marrëveshjeve tregtare me Bashkimin Evropian, CEFTA-n si dhe MTL-ja me Turqinë. Në total përllogaritet një efekt negativ prej 3 miliardë lekësh, por që do të balancohet nga rritja e importeve, duke shtuar të ardhurat në dogana. Të fundit janë taksat nacionale, rishikimi i të cilave do të sjellë në arkën e shtetit rreth 5 miliardë lekë më pak. Nga 21 taksa, duke filluar që në janar 2009, do të aplikohen vetëm 6, ndërsa rritja e taksës së rentës minerare, në buxhetin 2009 është parashikuar një e ardhur prej rreth 2 miliardë lekë.