E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj: Sistemi përmbarimor, gjatë vitit 2008 kemi zgjidhur 90% të çështjeve



Ditën e djeshme u paraqit raporti i ekzekutimit të titujve ekzekutivë në shkallë vendi, referuar të dhënave statistikore për vitet 2005, 2006, 2007 e 2008.

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se zyrat e përmbarimit në Shqipëri kanë arritur të zgjidhin 90% për qind të çështjeve gjatë vitit 2008, duke shtuar se sipas statistikave që ka institucioni që ai drejton është ndër më e larta në vitet e fundit.

Ai paraqiti ditën e djeshme raportin e ekzekutimit të titujve ekzekutivë në shkallë vendi, referuar të dhënave statistikore për vitet 2005, 2006, 2007 për çështjet e ekzekutuara dhe të pushuara. Kështu, gjatë vitit 2005 kemi pasur 14921 çështje në total ku 90% iu është dhënë zgjidhje ligjore. Gjatë vitit 2006 kishte 15762 çështje në total ku 94.8% iu është dhënë zgjidhje ligjore. Kurse gjatë vitit 2007 kemi pasur 16109 çështje në total ndër të cilat 92% iu është dhënë zgjidhje ligjore.

Por, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor theksoi se mbi 90% e titujve janë ekzekutuar nga Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor gjatë vitit 2008.

Nga një analizë përmbledhëse, kjo drejtori deklaron se gjatë vitit 2008, 29 zyrat e përmbarimit në të gjithë vendin) kanë të regjistruar në total 18512 kërkesa ose praktika për ekzekutim. Nga ky numër total kërkesash zyrat e përmbarimit kanë në ekzekutim e sipër brenda afateve procedurale 6864 çështje. Nga këto, 5806 çështje janë ekzekutuar totalisht që i shtohet numrin prej 6864 çështje, kurse 2470 çështje janë ekzekutuar duke marrë një vendim pushimi dhe 1050 çështje janë të pezulluara me vendim të gjykatave.

Ministri Alibeaj komentoi këto shifra dhe tha se janë optimiste dhe optimale për kushtet dhe procedurat e ekzekutimit të titujve ekzekutivë, “denjësisht të krahasueshme edhe me mesataret e ekzekutimit të titujve ekzekutivë të vendeve të BE-së”.

Sipas numrit një të Ministrisë së Drejtësisë, gjatë vitit 2008 zyrat e përmbarimit gjyqësor kanë ekzekutuar tituj ekzekutivë duke vjelë një shumë prej 644 milionë lekë ose rreth 6 milionë euro.

Problemet

Ndërkohë, për Alibeajn vazhdon të pasqyrohet problematike mungesa e vullnetit të institucioneve për të shlyer detyrimet ndaj subjekteve të ndryshme, duke mos parashikuar në projektbuxhetin e tyre, në zërin shpenzime operative, shpenzimet për ekzekutimin e titujve ekzekutivë. Këto raste vazhdojnë të evidentohen në zyrat përmbarimore Tiranë, Bulqizë, Elbasan, Mat, Korçë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Kukës, Gjirokastër dhe Përmet.

Për sa u përket institucioneve debitore rezulton se pjesa më e madhe e çështjeve regjistrohen me palë debitore organet e pushtetit vendor si prefektura, bashkitë dhe komunat. Në rrethet e mëdha, Tiranë dhe Durrës, rezulton që pjesën më të madhe e zënë çështjet me palë debitore, Drejtorinë e Përgjithshme të Doganës, Ministrinë e Financës dhe Degën e Tatim-Taksave.

Për çeljen e fondeve në buxhetin e institucioneve debitore, Alibeaj tha se janë bërë shkresa zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme pranë ministrive përkatëse duke menduar se do të sjellë një progres në trajtimin e këtyre çështjeve.

Sistemi përmbarimor

Alibeaj sqaroi se për përmirësimin dhe funksionimin e sistemit të Shërbimit Përmbarimor “jemi në fazën e hartimit te projektligjit për Liberalizimin e Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor”.

Kategoritë ku është menduar të aplikohet fillimisht Shërbimi Përmbarimor Privat do të jenë kategoritë e titujve ekzekutiv si kontraktuale private (lirim banese, pushim cenimi pronësie etj.), të cilat mbartin mjaft problematikë për mungesë mjetesh logjistike.

Gjithashtu me aplikimin e sistemit privat, institucionet shtetërore do të trajtohen si çdo kreditor tjetër privat, ato do të paguajnë tarifat në raport me objektin e ekzekutimit. Sakaq, Alibeaj tha se çështjet ku shteti është në cilësinë e palës kreditore (ATK, KESH, firmat piramidale dhe gjobat penale) zënë një pjesë të konsiderueshme të çështjeve ne ekzekutim, pranë Zyrave Përmbarimore.

Ekstradimet

Ministri i Drejtësisë, ka folur edhe në lidhje me ekstradimet dhe e ka vënë përgjegjësinë mbi sistemet e drejtësisë në vendet ku arrestohen të kërkuarit shqiptare. Duke iu referuar edhe rastit më të fundit të mos arritjes të ekstradimit të një prej më të kërkuarve, Bashkim Drizës, ish-presidenti i firmës piramidale “Populli”, Alibeaj shpjegoi se dokumentacioni ishte përpiluar brenda afatit. Vonesat kanë qenë nga pala tjetër për të bërë të mundur që personi i dënuar me 16 vjet heqje lirie nga drejtësia shqiptare të rikthehej në vend për të vuajtur dënimin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›