Trafiku klandestin, arrestohen 4 persona në Korçë
Një grup që tentonte kalimin e klandestinëve drejt Greqisë kundrejt shifrave të konsiderueshme në euro është vënë në pranga nga policia e Korçës. Burime zyrtare policore bëjnë të ditur se dy ditë më parë është goditur një grup prej katër personash, të cilët merreshin me dhënien e ndihmës për kalim të paligjshëm drejt Greqisë. Ndërkohë që mësohet se është shpallur në kërkim një 24-vjeçar, i cili rezulton të jetë pjesë e grupit. Në prangat e uniformave blu ranë Ilirjan Bardhushi, Gjergji Gavri, Melsi Bylyku dhe Mustafa Eshi. Ndërkohë që po punohet për kapjen e Mariglen Qylallit, i cili ka arritur që t’i shpëtojë arrestimit.
Sipas burimeve nga policia, të arrestuarit po përpiqeshin që të kalonin drejt Greqisë një grup prej 10 personash në mënyrë të paligjshme. Për çdo person, bëjnë të ditur burimet policore të Korçës, ata merrnin një shumë nga 800 deri në 1000 euro. Të arrestuarit janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës së rrethit për të marrë masën e arrestit.
Hetimi
Agjentët kishin disa kohë që po hetonin aktivitetin kriminal të katër të arrestuarve, të cilët ishin banorë të fshatrave përreth, në zonën e Korçës. Pas dokumentimit të veprimtarisë së tyre të paligjshme, u organizua operacioni i koduar “Stafeta”, ku u krye edhe arrestimi i tyre. Specialistë dhe ndihmës-specialistë pranë Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Korçë, në bashkëpunim dhe me oficerët dhe agjentët e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar Tiranë bënë të mundur finalizimi e operacionit policor, duke vënë në pranga shtetasit Ilirjan Bardhushi, lindur dhe banues në Ravonik-Korçë, Gjergji Gavri lindur dhe banues në Kapshtiçë-Devoll, Melsi Bylyku, lindur dhe banues në Trestenik-Devoll dhe Mustafa Eshi, lindur dhe banues në Bilisht. Sipas policisë, ata i grumbullonin klandestinët nga pjesë të ndryshme të vendit dhe kryenin më pas transportin e tyre me anë të mjeteve në afërsi të kufirit, ku dhe më pas bënin kalimin për në territorin grek. Punonjësit e policisë, sipas burimeve, e kapën grupin ndërsa këta ishin duke transportuar 10 persona. Sipas policisë, ata ishin nga rrethet e Korçës, Kavajës dhe Elbasanit. Nga deklarimet që klandestinët kanë dhënë para hetuesve, kanë bërë të ditura edhe shumat që do paguanin në rast kalimi në territorin grek. Sipas tyre, pagesa për person ishte nga 800 deri në 1000 euro. Lëvizja e tyre bëhej me anë të një furgoni si dhe të dy autoveturave. Punonjësit e policisë sekuestruan një furgon të kuq me targa të Divjakës dhe dy makina të llojit “Mercedes-Benz”, një me targa KO 7530 B dhe DV 2930 A, në pronësi të personave të arrestuar. Nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se si bashkëpunëtor i shtetasve të mësipërm të jetë edhe shtetasi tjetër, Mariglen Qylalli, lindur dhe banues në Vashtëmi-Korçë, për të cilin uniformat blu po punojnë për kapjen e tij. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufirit”.