Gëzim Kasemi; Frika e përkeqësimit të shëndetit, gjykata shtyn gjyqin e Kasemit
Frika e përkeqësimit të shëndetit, si pasojë e komplikacioneve nga diabeti, ka detyruar një dëshmitar të mos paraqitet dje në Gjykatën e Tiranës, pasi një seancë më parë i ka rënë të fikët para se të dëshmonte. Mirëpo, prania e dëshmitarit Riza Qosja nga Ura Vajgurore është mjaft e rëndësishme për akuzën, çka e ka detyruar trupin gjykues të urdhërojë shoqërimin e detyrueshëm të tij për në gjyq nga policia. Për të asistuar gjendjen e tij shëndetësore, gjykata është shprehur se do marrë të gjitha masat. Ky shtetas pritet të dëshmojë në procesin gjyqësor në ngarkim të shtetasit Gëzim Kasemi, i njohur si anëtar i bandës së Altin Dardhës, një “killer” i njohur në Berat. Në fund të seancës, gjykata ka paralajmëruar prokurorin e çështjes për pelerinën. Por, përfaqësuesi i akuzës ka theksuar se nuk kishte një të tillë që ta vishte gjatë procesit gjyqësor, për këtë fakt prokurorit i është “dhuruar” një pelerinë nga trupa gjykues. I pandehuri Kasemi është ekstraduar dy vjet më parë dhe procesi gjyqësor në ngarkim të tij ka rinisur gjykimin, ndërkohë që po kjo gjykatë e ka dënuar me 23 vjet burg, si bashkëpunëtor i Dardhës në vrasje. Gëzim Kasemi akuzohet se në bashkëpunim me Altin Dardhën, Altin Isufin dhe Ardian Bilalin kanë ekzekutuar katër shtetas, ndërkohë që dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.