Gjendet 19-vjeçarja e humbur që prej 5 shkurtit, ndodhej në Greqi
Policia ka arritur të gjejë 19-vjeçaren e humbur që prej datës 5 shkurt, pas denoncimit të familjarëve të saj. Ajo është gjetur në shtetin helen. Ka qenë Policia Kufitare që ka mundur të identifikojë Brunilda Dragën. Denoncimi është bërë menjëherë pas zhdukjes së vajzës, por policia e ka pasur të pamundur gjetjen e saj. Kjo alarmoi punonjësit e policisë, të cilët nisën menjëherë nga puna për të bërë të mundur përcaktimin e vendndodhjes së saj. Agjentët dyshonin për një kalim të saj në kufirin grek. Për këtë u kërkua ndihma e Policisë Kufitare, e cila bëri më pas të mundur identifikimin. Pas kërkesës për ndihmë të autoriteteve greke, u gjet edhe vajza e zhdukur, e cila iu rikthye sërish familjarëve. Nëntëmbëdhjetëvjeçarja është shoqëruar nga agjentë të policisë greke, të cilët kanë bërë të mundur riatdhesimin e saj. Tashmë, Draga gjendet në familjen e saj në Lushnjë.