Pastrimi i parave të krimit, një prokuror francez në Tiranë
Pastrimi i parave të krimit në Shqipëri, një prokuror francez mbërrin në Shqipëri dhe nis përballjen me familjarët e këtyre eksponentëve kriminalë nën hetim. Prokurori francez ka mbërritur në vendin tonë prej disa ditësh, me qëllim për të grumbulluar prova se gjashtë shqiptarë të arrestuar në Rene të Francës dhe që janë nën hetim prej tij, kanë dërguar paratë e ardhura nga aktiviteti i paligjshëm kriminal në familjet e tyre në Shqipëri. Shtetasit nën hetim nga akuza franceze janë Adnand Sharra, Gentian Pupa, Alban Kristo, Arben (Edmond) Dervishi, Jamarbër Jodha dhe Gentian Citozi, të cilët akuzohen për veprat penale “trafik lëndësh narkotike”, “shitblerje armësh”, “pastrim parash” dhe “kontrabandë me mallra që dëmtojnë shëndetin e tjetrit”. Prania e prokurorit në Shqipëri është për vërtetimin e dyshimeve se paratë e fituara nga veprimtaria kriminale janë dërguar në Shqipëri, për t’u investuar apo përdorur për të tjera qëllime nga familjet e tyre. Prokurori ka marrë me vete prova të grumbulluara përgjatë hetimit në Francë, të cilat po i përball me dyshimet e tij të bazuara në prova që gjenden në vendin tonë dhe që marrin vlerën e provës vetëm para gjykatës. Për t’u konsideruar prova në një proces gjyqësor që pritet të zhvillohet në Gjykatën e Rene-së në Francë, prokurorit do t’i duhet që këto dëshmi dhe provat e grumbulluara në Shqipëri të merren në rrugë ligjore përmes letër-porosisë. Prandaj, në Gjykatën e Krimeve të Rënda është duke u ekzekutuar kjo letër-porosi, ku për disa ditë do të merren dëshmitë e familjarëve të të arrestuarve, të cilët qysh dje kanë filluar të përballen me provat e prokurorit francez, Aleksis Kontamin, i cili në sallën e gjyqit shoqërohet nga prokurori shqiptar i Krimeve të Rënda, Besnik Muça.
Dëshmitë
Gjatë ditës së djeshme, në gjykatë u paraqitën 9 dëshmitarë të thirrur nga gjykata, të cilët gjatë dëshmisë së tyre kanë mohuar totalisht njohjen me të pandehurit e arrestuar në Francë, përkatësisht shtetasit Adnand Sharra, Gentian Pupa, Alban Kristo, Arben (Edmond) Dervishi, Jamarbër Jodha dhe Gentian Citozi. Sipas akuzës, këta shtetas akuzohen për veprat penale “trafik lëndësh narkotike”, “shitblerje armësh”, “pastrim parash” dhe “kontrabandë me mallra që dëmtojnë shëndetin e tjetrit”. Me thirrjen e dëshmitarëve, të gjithë familjarë të personave të arrestuar dhe nën akuzë, prokurori donte të provonte faktin që në Shqipëri janë kryer transaksione bankare nga Franca, para që kanë mbërritur në llogaritë bankare të familjarëve të tyre, apo para që janë nisur përmes pikave “Western Union”. Prokuroria dyshon se këto para të nisura drejt Shqipërisë nga 6 të arrestuarit kanë ardhur si rrjedhojë e veprimtarive kriminale të kryera në Francë dhe që pastrohen në Shqipëri. Si prova, prokurori ka paraqitur dokumentet e transfertave të kryera në emër të dëshmitarëve të thirrur para gjykatës, por edhe të të tjerëve që pritet të vijnë për të dëshmuar në ditët në vazhdim. Por, prokurorët janë gjendur përballë mohimit të fakteve nga dëshmitarët, të cilët, edhe pse nën betim dhe të paralajmëruar për përgjegjësi ligjore, mohonin faktin se kishin marrë para nga Sharra, Pupa, Kristo, Dervishi, Jodha e Citozi. Madje, kanë mohuar faktin se mund të kishin lidhje familjare me këta shtetas. Prokurori francez ka përballur dëshmitarët me transfertat e bëra në emër të tyre nga shteti francez, por këto fakte janë mohuar plotësisht nga nëntë dëshmitarët.