E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj fiton "bastin", kontrollon prokurorinë

Prokurorët më në fund hapin
derën për inspektorët e Alibeajt
për kontrollin e shumëpërfolur
në prokurori. Megjithëse ligji
i ri "për prokurorinë" nuk ka shkuar
ende në qeveri për miratim,
zyrtarë të Prokurorisë së Tiranës
kanë lejuar disa kontrollorë të Alibeajt
të marrin ç‘të duan nga dosjet
hetimore që janë pushuar, apo
që janë dërguar në gjykatë. Dje,
në mjediset e akuzës kryeqytetase
tre inspektorë kanë kontrolluar
për orë të tëra zyrën e regjistrit
penal. Me dosje në dorë kanë
marrë të gjitha informacionet e
nevojshme dhe pasi kanë pirë
kafen në afërsi të godinës së
Prokurorisë së Tiranës, janë nisur
"të lumtur" në drejtim të Ministrisë
së Drejtësisë. Duket se veprimi
i prokurorisë është një hap
pas. Ishin po këta zyrtarë që disa
ditë më parë përzunë "me shkelma"
vartësit e Alibeajt. Madje u
mbyllën dyert, si dhe nuk i lanë të
çlodheshin as në oborrin e
prokurorisë. Tashmë është një
pamje krejt e kundërt, ku inspektorët
"vizitojnë" çdo zyrë në
prokurori. Pamja e djeshme ishte
një tablo tjetër e asaj që ndodhi 15
ditë më parë. Burime nga Ministria
e Drejtësisë thanë se inspektorët
kanë më shumë se dy muaj që
gjenden në prokurori në kuadër të
kontrollit të këtij organi, bazuar te
ligji aktual për prokurorinë.
Ndërkohë, krerë të prokurorisë refuzojnë
të komentojnë një kontroll
të tillë. Madje nuk preferojnë të
japin asnjë të dhënë, pasi mund
të nxjerrin "sekretin hetimor".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›