E Shtunë, 31 Tetor 2026

E vërteta e Milan Kunderës

Informacionet e shumta nuk ar
ritën dot të më shkëpusnin prej
një çështjeje që më prek nga
afër dhe për më tepër që është e
lidhur ngushtë me "zanatin" tonë.
Bëhet fjalë për rastin "Kundera",
për të cilin, edhe pse mund të jem
i fundit në listë, dua të shpreh
opinionin tim. Thuajse 60 vjet më
parë, po po, 60 vjet më parë, u arrestua
në Pragë një i ri çek, agjent i
shërbimeve sekrete amerikane.
Sipas arkivave, që dikur kontrolloheshin
nga shërbimet sovjetike,
ndërsa tani "të prekshme" për çdo
"kërkues", personi që e denoncoi
atë agjent te policia kishte qenë
shkrimtari francez me origjinë
çeke, Milan Kundera, atëherë
vetëm 21 vjeç. Një e përjavshme
në Pragë u zotua se e kishte bërë
këtë "zbulim" të madh tri javë më
parë, duke i dedikuar edhe një
numër special kësaj çështjeje.
Kështu, lajmi mori dhenë dhe nisi
të diskutohej gjithandej, mbi të
gjitha në Francë. Për shkrimtarin
kjo ishte si një "grusht në gjoks". Ai
tha: "Nuk dija asgjë dhe kurrë nuk
kisha dëgjuar të flitej për këtë
çështje". Madje, përmes një komunikate
deklaroi se bëhej fjalë
për një gënjeshtër. Vetëm tri ditë
pas kësaj akuze mendohej se do të
dilte në shesh e gjithë e vërteta, kur
një profesor i Universitetit të
Pragës, Zdenek Pesat, pranon
publikisht në një letër se e njeh të
gjithë ngjarjen dhe mbi të gjitha e
di me siguri se Milan Kundera nuk
është i përfshirë fare në këtë çështje.
Por, pavarësisht kësaj, deklaratës
së tij askush nuk ia vuri
veshin. Në ditët e mëvonshme,
personalitetet më të shquara të
letërsisë franceze dhe evropiane u
bashkuan në shenjë solidariteti
me Milan Kunderën. Gazetarët, që
ishin të parët të cilët e përhapën
lajmin dhe janë në dijeni si për
përgënjeshtrimin nga ana e shkrimtarit,
ashtu edhe për emocionin
e shkaktuar në botën e letrave
në këtë pikë, janë më të
kujdesshëm. Por, si ka mundësi që
kujdesi i tyre tani nuk vlen më për
asgjë? Fakti është se në bazë të
rregullave të reja të zanatit tonë,
kur në faqen e parë publikohet një
titull që zë gjithë faqen dhe një foto
e madhe për të hedhur hije mbi
një personalitet, edhe pse nuk
vërtetohet se informacioni është i
vërtetë, aty paraqitet si i tillë. Ne
ndeshemi çdo ditë me probleme të
tilla, sepse në perandorinë e botës
së padrejtë shpifjet nuk e humbasin
kurrë vitalitetin.
Për këtë arsye, gjithë solidariteti
për shkrimtarin nuk do pengojë
që një pjesë e publikut të mendojë
se nuk ka zjarr pa tym. Pas kësaj do
të thuhet: Kush mund ta dijë me
siguri atë çka mund të ketë
ndodhur 60 vjet më parë? Madje
do të ketë edhe nga ata që do të
bëjnë pyetje ziliqare të tipit: Për
çfarë arsye një i ri komunist nuk do
e konsideronte detyrim të denonconte
një spiun? E për çfarë arsye?
Thjesht, sepse nuk është e
vërtetë. Por nëse do të përgjigjej,
do të ishte në kurth, siç ndodhi me
Lech Walesn, ish-liderin e "Solidarnosc",
edhe ai viktimë e një manipulimi
dokumentesh arkivore
në Poloni. Ekziston një paradoks i
trishtë në situatën e këtij shkrimtari,
që në romanet e tij e kishte
parashikuar shkatërrimin e të ashtuquajturës
shoqëri të transparencës.
Milan Kundera beson te
gjykimet dhe respekti i jetës private,
ashtu si nuk ka reshtur kurrë
së ma përmenduri që kur ka shpërthyer
kjo ngjarje. Ai mbështet
vazhdimisht idenë se një vepër
duhet gjykuar për përmbajtjen e
saj dhe jo për të zbuluar jetën e
autorit të saj. Ndoshta për këtë u
shmanget vazhdimisht mediave,
madje në mënyrë agresive. Kur i
them se gjithë ky refuzim rrezikon
të shkaktojë padurueshmërinë, ai
më përgjigjet me fjalët që më ishte
përgjigjur dikur Levi-Strauss:
"Duke e kuptuar gabimin tim të
rëndë në politikë- isha shumë afër
Partisë Komuniste -vendosa të
mos kem të bëj më fare me këtë
fushë". Kësaj fraze, Kundera i shton:
"Pasi zbulova se universi im i
vetëm ishte romani, gjithmonë
kam pasur frikë se mos bija pre e
ndonjë deklarate dogmatike, që
do të më pengonte të ndryshoja
opinionin". Milan Kundera pati
naivitetin të mendonte se
dorëheqja nga loja për t‘iu larguar
mediave do të mjaftonte për të
mbrojtur gjykimin dhe heshtjen e
tij. Në fakt, ajo që më intereson më
shumë nga kjo çështje është dimensioni
jo vetëm njerëzor, por
mbi të gjitha letrar, që nënvizon
Kundera. Siç duket hapur, një nga
temat dominuese në veprat e tij të
fundit letrare është ajo e "mërgimit"
dhe gjithçka që lidhet me të.
Është shumë domethënëse edhe
zgjedhja e tij për të shkruar në
frëngjisht, duke shkaktuar reagime
të ashpra në vendin e tij të
lindjes. Ka diçka hakmarrëse në
gjithë ato shpifje. Çekët nuk e kanë
pranuar kurrë pasionin e Milan
Kunderës për Francën, por injorimi
do të ishte i pafalshëm për
francezët. Babai i Milanit një pianist,
ka qenë dishepull i Alfred
Cortot dhe adhurues i Grupit të të
Gjashtëve (mes të cilëve Milhaud,
Honegger, Poulenc). Lexova në
dorëshkrimet e përmbledhjes së
re të eseve të tij: "Në vitet ‘20 babai
im kishte çuar në Paris pjesët
muzikore të pianos për Darius Milhaud
dhe e kishte ndjekur përpara
publikut. Atëherë ishin të pamësuar
me koncerte të muzikës moderne".
Pikërisht nga i ati, Kundera
ka trashëguar dashurinë për
Francën dhe artin e saj; dashurinë
për surrealistët dhe Apollinaire.
Kam parë botimin e "Alcools", të
publikuar në Pragë në vitin 1964,
me një parathënie të gjatë të shkruar
nga vetë ai, por mbi të gjitha
mendoj për Dideroin. Pas pak
ditësh do të dalë në skenë në "Theatre
14" në Paris, me regji të Nicolas Briançon, pjesa "Zhak dhe padroni
i tij- Homazh për Denis Dideroin",
shkruar nga Kundera në
vitin 1970, si përgjigje ndaj pushtimit
rus nga Çekosllovakia në vitin
1968. Në sytë e tij, tragjedia e vendit,
përtej shtypjes dhe represionit,
qëndronte në sekuestrimin tij,
që në mënyrë të pashmangshme
do ta kishte çrrënjosur nga Perëndimi.
Për Milan Kunderën, thelbi i
Perëndimit të kërcënuar përqendrohej
në shekullin XVIII, në
veçanti në veprën e Didëroit, dhe
më specifikisht në romanin "Zhak
fatalisti", shumë liberal dhe i gëzueshëm.
Në atë periudhë të errët,
si mund ta përfaqësonte veten në
Çekosllovaki? Kundera ishte një
autor i ndaluar, por në vitin e emigrimit
të tij në Francë, në 1975-ën,
një mik i vuri emrin e tij kësaj pjese,
në mënyrë që "Homazh për Dideroin"
të mund të dilte në skenën
e Pragës së pushtuar deri në fund
të qëndrimit të rusëve në vend në
1989-ën. Domethënë, për plot 14
vjet. Kështu, edhe pse jetonte në
Francë, Kundera ka pasur gjithmonë
përshtypjen, të paktën
kështu më ka thënë, se gjithmonë
ka qenë i pranishëm në vendin e
tij, "falë kostumit të marrë borxh
nga Denis Didëroi". Në përmbledhjen
tij të ardhshme të eseve,
"Une reconte", që do të dalë në
shkurt, Kundera shkruan duke
evokuar një tjetër shkrimtar çek,
një mikun e tij, Josef Skvorecky,
një i pasionuar pas xhazit e që sot
jeton në Toronto. "Është njëlloj
sikur që nga fëmijëria secili prej
nesh të mbante brenda vetes
vendin e mundshëm të emigrimit.
Për mua Franca, për të Amerika
e Veriut". Nëse është e vërtetë që
në 1975-ën emigracioni në Francë
ishte një surprizë e vërtetë për
Kunderën (pa pushtimin rus nuk
do të isha larguar kurrë nga Çekosllovakia,
ka thënë ai), në të
njëjtën kohë ishte edhe një ngjarje
natyrore, logjike, e nevojshme,
e lumtur. Kjo nuk do të thotë se
shkrimtari e harroi vendin e tij të
lindjes. Këtë e tregon jo vetëm në
romanet e tij, por edhe në jetën e
përditshme, përmes një sërë shkrimesh.
Në të njëjtën kohë po
forcohej gjithmonë e më shumë
lidhja me Francën, një lidhje e pashkatërrueshme.
Dua t‘ju kujtoj
frazën e fundit të shkrimit të tij
mbi Skvorecky-n: "Që atëherë,
herë pas here çifti Skvorecky shkon
për vizitë në Pragë, për t‘u
kthyer sërish në atdhe. Në atdheun
e adoptuar". Kështu veprojnë
edhe bashkëshortët Kundera.
Franca e dashur është tashmë atdheu
i tyre. Atdheu i mërgimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›