Alibeaj, grevistëve: Përfaqësoni interesa të vogla meskine
“Grevistët nuk treguan respekt ndaj votës së lirë”
“10 deputetët, njerëz rastësorë në vendimmarrje”
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, kritikon mënyrën e protestës së deputetëve grevistë, përmes ngujimit në Parlament, duke i akuzuar për mosrespektim ndaj votës së lirë. Gjatë një tryeze të fokusuar dje tek vota e lirë, ministri Alibeaj komentoi edhe grevën e urisë së deputetëve të LSI-së dhe PDK-së në sallën e Parlamentit. Duke folur me nota kritike për mënyrën e zgjedhjes së tyre, Alibeaj, u vuri në dukje grevistëve se në këtë rast ata përfaqësojnë interesa të vogla meskine. Duke bërë lidhjen me grevën e 10 deputetëve, Alibeaj pohoi se e drejta për të zgjedhur është e drejtë e qytetarëve dhe jo e njerëzve rastësorë në vendimmarrje. “Duke iu referuar grevës që po bëhet, duket se e drejta për të zgjedhur nuk është argument i qytetarëve, por i disave që rastësia i ka bërë që të jenë përfaqësues, por ata duket se përfaqësojnë interesa të vogla meskine”, - u shpreh Alibeaj. Sipas tij, këtu kemi të bëjmë me një keqkuptim të madh, pasi besohet se zgjedhjet fitohen ditën e zgjedhjeve. “Por, - vijoi Alibeaj, - e vërteta është se zgjedhjet fitohen duke punuar që ditën e parë pas zgjedhjeve deri në ditën e heshtjes zgjedhore”. Në gjykimin e ministrit të Drejtësisë, kjo u duhet mësuar personave që përdorin mjete nga më të ndryshmet për hir të interesave personale. “Grevat e urisë janë një mjet i moralshëm, por jo kur ato bëhen nga njerëz që nuk kanë treguar asnjëherë respekt ndaj votës së lirë”, - tha Alibeaj, duke shprehur hapur qëndrimin politik kundër grevës së 10 deputetëve. Ministri i Drejtësisë foli dje edhe për rëndësinë e votës së lirë, në takimin e organizuar dje nga Forumi për Demokraci dhe Etikë (FDE). Sipas tij, vetëm kur të krijojmë opinionin me baza sinqeriteti, atëherë do të marrë vlerë e drejta e votës dhe marrëdhënia mes qytetarëve dhe të zgjedhurve. “Raporti i përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies, u shpreh ai, - do të krijojë e injektojë tek drejtuesit e fateve të një shoqërie një opinion të vetin që pushteti mund të merret dhe mund të mbahet me sjellje politike, që i shërbejnë qytetarëve”. Ndryshe nga ministri Alibeaj, deputeti i PS-së, Marko Bello, i ftuar në këtë takim, iu shmang qëndrimit për grevën ndaj dhjetë deputetëve të opozitës, duke u përqendruar tek liria e medias. Z. Bello vuri në dukje se "në më të shumtën e rasteve qytetarit i është garantuar liria për të votuar, por nga ana tjetër, administrimi i procesit zgjedhor ka degjeneruar për shkak të kulturës së dobët demokratike, por dhe etjes së shfrenuar për pushtet". Ish-ministri i Integrimit shprehu besimin se viti i ardhshëm shihet si një vit i artë për të demonstruar njëherë e mirë që Shqipëria është në gjendje të zhvillojë zgjedhje të lira e konform standardeve evropiane.