E Shtunë, 31 Tetor 2026

FDE, tryezë për “votën e lirë”



Çështja e lirisë së votës, medias e besimit, si shtyllat kryesore për një demokraci të shëndetshme, u debatuan dje në një takim në hotel “Tirana International”, mes përfaqësuesve të shoqërisë civile, të politikës e medias, të organizuar nga Forumi për Demokraci dhe Etikë (FDE). Diskutuesit që morën fjalën në takim, pohuan se me gjithë zhvillimet pozitive në këto fusha, Shqipëria ka nevojë për tolerancë, pasi e kundërta nuk çon në zgjidhje të problemeve. Sipas tyre, ndonëse qeveria shqiptare ka ratifikuar një sërë dokumentesh të Këshillit të Evropës, që lidhen me lirinë e besimit medias etj., sërish ka shqetësime në këtë drejtim. Të pranishëm në këtë diskutim ishin ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, deputeti i Partisë Socialiste, Marko Bello, drejtori i NRB-së, Frank Wright dhe Dashamir Bërxulli, drejtor i FDE-së në Kosovë, shef departamenti në Universitetin e Prishtinës. Drejtori ekzekutiv i FDE-së, Arian Galdini, u shpreh se politika duhet të tejkalojë limitet e interesit personal për të parë interesin madhor të kombit. Ai tha se fokusimi në klimën e acaruar politike brenda vendit, përfshi këtu dhe grevën e 10 deputetëve, ka lënë pas dore çështjen e Kosovës, e cila ndodhet në një moment shumë të vështirë, me planin gjashtëpikësh të Ban Ki Munit. Kjo është mbështetur dhe nga përfaqësuesi i FDE-së nga Kosova, Dashamir Bërxulli, i cili u shpreh se Kosova ndodhet në një moment shumë delikat. “Shqipëria ka mundësi që në këtë moment të japë ndihmën e saj për çështjen e Kosovës pa anashkaluar edhe problemet e brendshme politike. Kosova ndodhet në një situatë, ku pavarësia dhe Kushtetuta e saj mund të cenohen rëndë, nëse plani gjashtëpikësh kalon në Këshillin e Sigurimit. Në një rast të tillë, Shqipëria duhet të lobojë fort dhe të tejkalojë problematikat lokale për hir të interesave madhore kombëtare”, - u shpreh profesori nga Prishtina.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›