Tirana zyrtare dënon aktin kriminal kundër EULEX-it
MPJ: Asgjë s’do e pengojë Kosovën drejt integrimit
PR: Të marrë fund skenari “Serbska Republika”
Diplomacia shqiptare ka bindjen e plotë se asgjë nuk do ta pengojë Kosovën për të ecur e sigurt përpara në ndërtimin e institucioneve, të shtetit të së drejtës, zbatimin rigoroz të ligjit, por dhe konsolidimin e shtetit të pavarur e demokratik, të integruar në familjen evropiane dhe euroatlantike. Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, e drejtuar nga z. Lulzim Basha, dënoi dje shpërthimin e ndodhur një ditë më parë pranë ndërtesës së Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë, Kosovë. Në një njoftim për shtyp të MPJ-së, shpërthimi i datës 14 nëntor konsiderohet si një akt që, edhe pse i izoluar, synon të dëmtojë frymën e bashkëpunimit të institucioneve të Republikës së Kosovës me ZCN-në dhe faktorin ndërkombëtar, si dhe vullnetin e dëshmuar tashmë për vendosjen dhe shtrirjen e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës. Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson reagimin e menjëhershëm të autoriteteve më të larta të Republikës së Kosovës ndaj këtij akti dhe dënimin e tij nga ana e tyre. Duke rikonfirmuar mbështetjen maksimale për autoritetet e Republikës së Kosovës, sulmi ndaj ndërtesës së ICO-së ndodhi në një kohë kur Kosova dhe Bashkimi Evropian po bisedojnë, por pa arritur rezultate lidhur me planin gjashtëpikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban ki Mun, i pranuar edhe nga Beogradi për shtrirjen e EULEX-it. Zyra e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar në Kosovë udhëhiqet nga diplomati Piter Fejth dhe funksionon në kuadër të misionit të Bashkimit Evropian. Kurse mandati i këtij misioni është që të mbikëqyrë zbatimin e Pakos së Ahtisarit nga ana e institucioneve të Kosovës.
Reagimi i republikanëve
Partia Republikane kundërshtoi dje përpjekjet e Beogradit për realizimin e planit prej gjashtë pikash që tenton ndarjen territoriale të Kosovës. Sipas nënkryetarit republikan, Aleksandër Garuli, përpjekjet për të shkëputur nga qeverisja e Prishtinës, policinë, doganat dhe gjyqësorin në territoret kosovare të pretenduara nga serbët, përbën një rrezik të madh për të ardhmen e Kosovës dhe të pavarësisë së saj. Nënkryetari Garuli gjykon se ky është një plan absurd që i jep të drejtën 5% të popullsisë së Kosovës që janë serbë të krijojnë shtet brenda shtetit me struktura paralele. Kjo është një përpjekje për të krijuar “Serbska Republika” në Mitrovicë, por edhe në brendësi të Kosovës’’. Ai shtoi më tej se “realizimi i këtij plani do të destabilizonte në mënyrë të rrezikshme jo vetëm Kosovën, por edhe tërë rajonin. Pavarësia e Kosovës dhe tërësia territoriale e saj tashmë janë të pakthyeshme”. Garuli theksoi mbështeten e Partisë Republikane shqiptare në qëndrimet e drejta të përfaqësuesve të shtetit kosovar dhe njëkohësisht shpreh bindjen se i gjithë spektri politik shqiptar, si pozita, ashtu edhe opozita, në çdo rrethanë të mundshme, do të mbështesin çështjen e drejtë të tërësisë territoriale të Kosovës.