E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brokaj: Problemet shëndetësore të deputetëve grevistë



Kardiologu: Çrregullime me zemrën dhe sheqerin

Ai bën thirrje që të shihet si problem njerëzor

Dita e gjashtë e grevës së urisë i ka gjetur më të dobët fizikisht dhe me plot probleme shëndetësore 10 deputetët që kanë vendosur të protestojnë në këtë mënyrë për mospërfshirjen e partive të tyre në komisionet e administrimit të zgjedhjeve. Problemet e shumta që kanë, pasi nuk kanë ngrënë ushqim prej gjashtë ditësh, nuk janë të njëllojta për të gjithë, duke pasur parasysh moshën e ndryshme dhe anën shëndetësore të mëparshme. Nënkryetari i LSI-së, ish-deputet i kësaj force politike, Sabit Brokaj, ka bërë dje detyrën e mjekut gjatë takimit që ka pasur me kolegët e partisë së tij dhe të PDK-së e PS’91, dhe duke besuar se mjekët janë gjithmonë realistë, alarmi i vënë nga ai për gjendjen e tyre shëndetësore ka çuar debatin për grevën në prizmin njerëzor, duke anashkaluar atë politik. Duke pasur parasysh gjendjen e tyre, ai tha se “mospërfillja dhe mosvlerësimi i kësaj greve po merr karakter kriminal”. Brokaj, megjithëse mbështet kauzën politike të grevës, tha se “pothuajse tani zbehet aspekti politik dhe ngrihet si dominim aspekti njerëzor”. Në këto raste, sipas tij, kur kërcënohet jeta e tyre, ata që nuk realizojnë zgjidhjen e krizës, kanë përgjegjësi. “Kanë përgjegjësi, jo për një zgjidhje politike të thjeshtë, por për jetën e njerëzve”, - theksoi ai.

Problemet shëndetësore

Sipas kardiologut të njohur, gjendja e deputetëve është mjaft e rënduar. “Ka filluar të shfaqet ajo sindromë që është kërcënuese tek njerëzit, që kufizon marrjen e produkteve ushqimore, si kaloritet, por veçanërisht elektrolitet dhe substancat e tjera jetësore. Kjo, sipas ekzaminimit mjekësor, në dy-tre deputetë vërehet hipertension, ulje tensioni, që mund të bëhet shkas për të pasur probleme, sidomos kur kalohet nga pozicioni i shtrirë në këmbë dhe më pas më rëndë akoma”, - sqaroi për mediat Brokaj, pasi vizitoi grevistët. Sipas tij, “ka filluar të vërehet çrregullimi i glicemisë, pra ulja e sheqerit në gjak, si pasqyrim i mosmarrjes së sheqernave. Në deputetë të caktuar vërehet çrregullimi i ritmit të zemrës, diku ritëm 50 e ca në minutë, diku natyrisht i lartë. Të gjitha këto shfaqje tregojnë se janë prishur ekuilibrat në organizëm dhe kur prishen këta ekuilibra në organizëm, kërcënimi është imediat”. Si mjek, në këto raste ai parashikon dhe më të keqen, ndaj e quan kërcënim real për jetën vazhdimin e grevës. Sipas Brokajt, dihet që edhe në persona të cilët mbajnë dietë të rreptë, domethënë me ushqim të kufizuar, jo me ndalesë të plotë të ushqimit për të ulur peshën, ndodhin vdekje të papritura dhe kjo është e njohur. Ndërkohë, sipas tij, është shumë herë më i kërcënuar deputeti Frrok Gjini, i cili ka ndaluar tërësisht marrjen, qoftë edhe të ujit, dhe nuk pranon të marrë ndihmën mjekësore

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›